Pasditen e sotme, kati i dytë i shtëpisë së të moshuarve në Fier u përfshi nga flakët, duke bërë që të paktën pesë prej të moshuarve të përfundojnë në spital për shkak të asfiksisë nga tymi.

Për fat të mirë asnjë prej të moshuarve nuk është në rrezik për jetën, pasi sipas kryebashkiakut, Armando Subashi, situata u kap në kohë dhe u bë i mundur evakuimi i të gjithë të moshuarve nga godina.

Ai tha se sonte do të punohet gjatë gjithë natës, në mënyrë që ditën e nesërme të moshuarit t’i kthehen normalitetit.

Dukeqenesë godina është e vjetër, Subashi tha se përvec rikonstruksionit, do të shihet mundësia e ndërtimit të një godine të re.

“Ka qenë një zjarr aksidental, në pjesën e pasme të godinës, ku është gabina elektrike ku furnizohet godina. Tymi ka bërë punën e vet, në një pjesë e godinës.

Për fat të mirë, të moshuarit kanë qenë nëpër dhoma, ne bëmë evakuimin e të gjithëve. I kemi çuar në spitalin Rajonal të Fierit, për ndenjur në kujdesin e mjekëve sonte dhe besoj se nesër me punën që do të bëjmë gjatë natës, bëjmë kthimin e tyre nesër.

Dua të them që nga ajo që unë pash, përgjithësisht nuk kemi dëme në pjesën e godinës, vetëm në pjesën e pasme të saj. E rëndësishme është që situata u kap në kohë.

Ajo që ngelet tani është që ne të punojmë intensivisht dhe sa më shpejt të rikthejmë të moshuarit.

Për shkak se godina është e vjetër, mund të shihet  mundësia e një bashkëpunimi, ose mundësia e ndërtimit të një shtëpie e re të moshuarish.

Rikonstruksion po e po, por pse jo një shtëpi të re, me parametrat e duhura” tha Subashi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re