Laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik deri të martën në ora 17 kanë përfunduar analizën PCR të 1.372 mostrave në koronavirusin e ri, në mesin e të cilave 546 kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, ka deklaruar drejtori i Institutit për Shëndetin Publik, Boban Mugosha. Deri dje në ora 17 këtij instituti i janë konfirmuar edhe 7 raste të vdekjes si pasojë e infektimit me koronavirusin. Numri i përgjithshëm i vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19, prej fillimit të qershorit është 340, kurse prej fillimit të vitit 349, thuhet në kumtesë. Deri dje në ora 17, siç kanë theksuar nga Instituti për Shëndetin Publik është konfirmuar edhe shërimi i 196 pacientëve. Numri i përgjithshëm i rasteve aktive aktuale me Covid-19 në Mal të Zi është 7.427, kurse prej fillimit të vitit me virusin korona janë regjistruar 24 mijë e 154 persona.

Hotelierët kërkojnë hapjen e objekteve

Shoqata e Hotelierëve të Malit të Zi ka kumtuar se për ta prej sot nuk vlejnë masat e Trupit Koordinues Nacional dhe kanë paralajmëruar hapjen e objekteve në tërë territorin e Malit të Zi, duke filluar nga dita e enjte. Hotelierët në kumtesë kanë theksuar se Trupi Koordinues Nacional është duke i injoruar ata. “Edhe pse, si hotelierë jemi përpjekur që t’i respektojmë të gjitha masat e propozuara epidemiologjike, prej sot ato për ne nuk janë në fuqi”. Për aq më parë kur organet dhe institucionet shtetërore i injorojnë ose nuk i sanksionojnë ata, të cilët në objektet fetare, në ambientet e hapura, por edhe në spitalet e Covidit rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Andaj kemi vendosur që në nivelin e Malit të Zi t’i injorojmë masat e ashtuquajtura semafor dhe prej të enjtes ne do të fillojmë punën normale, në pajtim me rekomandimet e mëparshme, për të cilat mendojmë se janë logjike”, thuhet në kumtesën e Shoqatës së hotelierëve. Theksohet se objektet do të vazhdojnë të punojnë deri në orën 22.00 dhe në tavolina do të mund të ulen vetëm 4 klientë si në tarracë, ashtu edhe brenda dhe largësia mes tavolinave të jetë dy metra. Hotelierët kanë rekomanduar se kjo është e vetmja mënyrë që të ruajnë ekzistencën e tyre dhe të familjeve. Po ashtu kanë theksuar se në takimin e sotëm me Kryetarin e Parlamentit Aleksa Beçiq e kanë njoftuar atë me situatën mjaft të vështirë në të cilën janë gjetur hotelierët si pasojë e pandemisë.

Disa deputetë të infektuar me koronavirus

Kryetari i Parlamentit të Malit te Zi mbajti mbledhjen në të cilën u shqyrtua kërkesa e mandatarit për përbërjen e Qeverisë së re, Zdravko Krivokapiq që brenda një afatit të shkurtër të caktohet seanca parlamentare, në të cilën ai do të prezantojë programin dhe përbërjen e Qeverisë se re. Është paraparë që të iniciohet çështja e votimit në seancat plenare në kohën e pandemisë, duke pasur parasysh faktin se disa deputetë janë të infektuar me koronavirus dhe ekziston rreziku i rritjes së numrit të të infektuarve. Deputetët, të cilët janë në vetëizolim nuk do të mund të marrin pjesë në seancat parlamentare, kështu që kërkohet mënyra që edhe ata të marrin pjesë në punën e parlamentit. Duke pasur parasysh se me rregulloren e Parlamentit të Malit të Zi nuk parashihet mundësia e votimit elektronik, duhet të propozohen ndryshimet urgjente të një neni të rregullores dhe për këtë nevojitet që klubet e deputetëve ose Komisioni Parlamentar të vërtetojë propozimin pas kolegiumit dhe për këtë të deklarohen këshillat kompetent parlamentarë si dhe deputetët në seancën plenare.

Mali i Zi merr pjesë në Samitin e Sofjes 

Procesi i Berlinit ka rol të pazëvendësueshëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe lidhjet e tyre me Bashkimin Evropian në rrugën e integrimit, ka kumtuar Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq në Samitin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit, mikpritës i të cilit është kryeqyteti i Bullgarisë, Sofia. “Kam kënaqësinë që me ftesën e bashkëkryesuesve, Kryeministrit të Bullgarisë Bojko Borisov dhe Kryeministrit të Maqedonisë Veriore Zoran Zajev, të marr pjesë sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit, i cili po mbahet në formatin online,” ka kumtuar Gjukanoviq në Twitter. Duke pasur parasysh pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid-19, samiti i sivjetshëm mbahet në formën online. Në sesionin plenar të titulluar “Mundësitë dhe Sfidat e Reja për Procesin Ballkanik: Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Programi i Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, siç është paralajmëruar, marrin pjesë shefat e shteteve ose të qeverive pjesëmarrëse të procesit të Berlinit dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, në mesin e të cilëve janë edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Francës Makron, Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kryetari i Komisionit Evropian Zhozef Borell si dhe Komisari Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varheli.

Mandatari refuzon kërkesat programore të Listës Shqiptare

Lista Shqiptare “Genci Nimanbegu–Nik Gjeloshaj” sipas gjitha gjasave nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re të Malit të Zi, pasi që mandatari i ka refuzuar gjysmën e kërkesave programore të Listës Shqiptare. Para disa javësh, mandatari Zdravko Krivokapic dhe Lista Shqiptare kishin deklaruar se kërkesat programore ishin pranuar. Sipas burimeve të informuara mirë, njëri ndër liderët e Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, para dy ditësh ishte takuar me mandatarin Krivokapic dhe se Listës Shqiptare i është ofruar Zëvëndëskryeministri, i cili njëkohësisht do të ishte edhe ministër i Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, por që gjysma e kërkesave programore është refuzuar. Rikujtojmë se në takimin e parë në mes të Listës Shqiptare dhe mandatarit Krivokapic, Listës i ishte ofruar Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave si dhe Ministria e Turizmit. Ndërkaq, ende nuk ka asnjë informacion pse u bë një kthesë mbrapa e asaj që ishte dakorduar.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko