Po punohet intensivisht për të hapur të gjitha rrugët rurale në bashkinë e Librazhdit ku në terren po punojnë disa fadroma për të pastruar dëborën në mënyrë që mbazditen e sotme të jenë të kalueshme të gjitha akset rurale edhe zonat e thella si Gurakuqi , Polisi, Rinasi, Qarrishat, Dardha, Dragostunja etj.

Por për shkak të ngricave në rrugë dhe dëborës këshillohet për të gjithë banorët të përdorin goma dimri dhe zinxhirë.

Në lidhje me këtë situatë ka folur kryetari i bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra ku është shprehur se si rezultate i reshjeve të dëborës dhe uljes së temperaturave janë krijuar probleme në rrugë si dhe në energjinë elektrike.

“Në të gjithë territorin e Bashkisë Librazhd ka rënë një sasi e madhe dëbore domethënë e viteve të fundit është e paparë kjo sasi dëbore që ka rënë. Sigurisht që është shoqëruar dhe me uljen e menjëhershme të temperaturave gjë që ka krijuar një problem sa i takon rrugëve, por edhe energjisë elektrike”- u shpreh Gurra.

Ndërkohë situata paraqitet me problematike në zona të thella të bashkisë së Prrenjasit ku fshati Stravaj është i bllokuar pasi fadromat kanë mbërritur deri në Manastres, por reshjet e dëborës me erë vazhdojnë të bëjnë të vështirë ndërhyrjen, e njëjta situatë është në Rrajcë, Bardhaj dhe në Sopot, ndërkohë fshatrat Qukës, Katjel, Urakë, Kotodesh janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

/faxweb