Rreth 300 persona, përkrahës të opozitës, janë duke u përleshur në këto momente me një grup efektivësh të policisë në KZAZ-në nr 19 në Dibër.

Policia bën me dije se uniformat blu, janë rrethuar dhe po sulmohen me sende të forta dhe molotov dhe dyshohet se ka edhe të lënduar.

Menjëherë drejt Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale (FLO) për ndalimin e personave përgjegjës.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Shtetit

Nisur nga situata e krijuar në KZAZ-n Nr. 19 në Dibër, ku rreth 250 – 300 persona po vijojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, me qëllim depërtimin brenda ambjenteve të KZAZ-s, Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve që të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, pasi po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat do të bëjnë ndalimin e personave përgjegjës me qëllim përballen e tyre me ligjin.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur objektet zgjedhore dhe do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve zgjedhore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re