Ekspertë dhe akademikë nga rajoni, u mblodhën sot për një konference në Tiranë ku u diskutuan ndër të tjera përpilimi i kodit të ri teknik për ndërtimet, me qëllim që t’i rezistojnë forcës së tërmetit, ashtu siç është në të gjithë vendet europiane.

Shqipëria u gjend e papërgatitur nga tërmeti i 26 nëntorit, qoftë edhe përmes studimeve shkencore. Ndonëse tërmetet nuk mund të parashikohen, vende të tjera të zonave sizmike kryesojnë studime të thella, për t’i paraprirë apo për të përballuar sa më mirë mundësinë e rënies së një tërmeti të fortë.

Tërmeti i 26 nëntorit është padyshim mësim për Shqipërinë, e cila
është ende në fuqi kodi i vjetër prej tre dekadash, me kushtet e vjetra
teknike, antisizmike

Profesori i mirënjohur grek i gjeologjisë në Universitetin e
Selanikut, Spiros Pavlidesi i bëri thirrje qeverisë tonë të miratojë
hartën e re sizmike, pas tërmetit te 26 nëntorit.

Profesor Pavlidesi propozon madje që Shqipëria mos t’i referohet
vetëm eurokodeve por të përpilojë një kod të sajin siç ka bërë Greqia.

“Shqipëria është një nga vendet më sizmike të rajonit. Nuk mund të
bëhen parashikime për tërmetet por në bazë të statistikave, çdo 30 vjet
në Shqipëri ndodh një tërmet i fuqishëm”, – theksoi profesori grek.

“Duhet të ndërmerren hapa shkencore, – shtoi Pavlidesi, – “dhe
ligjore në mënyrë që qëndrimet e reja të jenë të qëndrueshme. Ne në
Greqi kemi kodet më të mira sepse ishin tërmetet ata që na përcaktuan
kodet e reja.”

“Sot kemi kodet greke dhe europiane, por në disa pjesë kodi grek
është më i mirë. Harta sizmike dhe kodet ne i ndryshojmë çdo 5 vjet, në
varësi të studimeve dhe rezultateve Akademia e shkencave dhe ekspertet e
sizmologjisë po përgatitin hartën e re sizmike dhe propozimet për kodet
e reja të ndërtimit”, theksoi ndër të tjera sizmologu grek, Spyros
Pavlides.

Edhe në Fakultetin e Gjeologji-Minierave profesori grek tha se
studimi i lëvizjeve tektonike, të cilat shkaktojnë tërmete, si dhe
historiku i tyre në këtë pjesë te Europës, japin një pasqyrë më të qartë
për frekuencën e tyre, çka duhet të ndërgjegjësojë më tepër autoritetet
dhe popullsinë.

Për shkak se konsiderohet një zonë e lartë sizmike, Japonia vazhdimisht kryen studime dhe ka kodin më të mirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re