Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, bëri të ditur ditën e djeshme se për bashkitë e mesme të Shqipërisë, rritja e pagave do të jetë e konsiderueshme. Sipas Maznikut, kjo do të sjellë një rritje të performancës dhe do t’i bëjë bashkitë konkurruese për të tërhequr punonjësit e kualifikuar.

“Për bashkitë me popullsi 50 mijë deri në 100 mijë banorë niveli minimal i pagës për kategorinë e specialistëve nga 30 600 lekë që është aktualisht shkon në 40 000 lekë. Ndërsa paga mesatare nga 44 000 lekë shkon në 70 000 lekë. Ndërsa në nivel drejtuesi paga minimale shkon në 95 000 lekë dhe paga mesatare nga 91 000 lekë shkon në 180 000 lekë”, – theksoi ai.

Qeveria miratoi më 1 gusht rritjen e pagave për punonjësit në të gjitha bashkitë e vendit. Vendimi parashikon që të gjitha pagat e pushtetit vendor do të unifikohen në të gjitha bashkitë. Vendimi do t’u japë mundësi bashkive të tërheqin nga tregu profesionistë, duke kontribuar në mënyrë efikase. Kush punon në bashki, do të marrë nga 20 deri në 40 për qind më tepër në pagën e tij.

Nga 93 mijë lekë aktualisht, punonjësi i pushtetit vendor do të marrë mesatarisht 111 mijë e 600 lekë në rastin më të keq dhe 130 mijë e 200 lekë në atë më të mirë. Shkalla e rritjes së pagave bruto për punonjësit e 61 bashkive u miratua në parim në mbledhjen e së hënës së Këshillit Konsultativ, Qeverisje Qendrore-Vendore.

Nga rritja e pagave do të preken edhe kryetarët e 61 bashkive, që do të ketë një formulë tjetër përllogaritjeje nga ajo që është aplikuar deri më tani. Detajet pritet të publikohen pasi Ministria e Financave dhe qeveria të aprovojnë faturën financiare që do të sjell rritja e pagave për afro 37 mijë punonjës të administratës lokale.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re