Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi se nuk është arritur asnjë dakordësi me mazhorancën sa i takon arritjes së një qëndrimi të unifikuar për Rezolutën që dënon sulmin e 24 Shtatorit në Veriun e Kosovës.

Komentet, Bardhi i bëri pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, ku tha se është diskutuar për seancën e posaçme.

Ndërkohë, ai bëri thirrje grupit parlamentar të Partisë Socialiste që “të heqin dorë nga qëndrimi i Serbisë dhe të gjithë bashkë të mbështesim Kosovën në këtë betejë.”

Në fjalën e tij për gazetarët, Bardhi gjithashtu tregoi se PD është njohur me propozimin e mazhorancës dhe ka nisur një draft ku bën bashkë të dy propozimet në një.

Gazment Bardhi: Kemi diskutuar për seancën e posaçme ku do diskutojmë për situatën në Kosovë.

Kam informuar kolegët mbi bisedimet midis kryetares së Komisionit të Jashtëm dhe nënkryetarit, dua të informoj opinionin se deri në këtë moment nuk ka një dakordësi për një rezolutë të përbashkët, sepse Grupi i PS nuk mbështet rezolutën e Kosovës, nuk kërkon një unifikim të qëndrimit tonë me kolegët e Parlamentit të Kosovës dhe nuk pranon që të identifikojë përgjegjësit realë të situatës së krijuar në 24 Shtator.

Pa diskutim që grupi parlamentar i PD me vullnetin e plotë që e gjithë klasa politike të jetë e unifikuar ka bërë çdo përpjekje për të patur një rezolutë të përbashkët.

Jemi njohur dhe trajtuar me seriozitet maksimal propozimin e PS. Kemi dërguar një draft ku bëjmë bashkë dy propozimet, dhe gjej rastin t’u bëj thirrje kolegëve, së pari të heqin dorë nga qëndrimi i Serbisë dhe të gjithë bashkë të mbështesim Kosovën në këtë betejë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re