Ka përfunduar takimi mes ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, në të cilin u vendos që të bllokohet miratimi i përfundimeve për procesin e zgjerimit. Euroneës raporton se Italia i ka kërkuar Presidencës gjermane të përmirësojë tekstin për Shqipërinë.

“Të paraqesë propozim të ri në ditët në vijim”, kjo është kërkesa e Italisë për Gjermaninë.

Ndërkohë Holanda dhe Franca kërkuan në takimin e ambasadorëve të BE-së, ndarjen Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ndërsa Bullgaria ka bllokuar Maqedoninë e Veriut për shkak të përplasjeve për gjuhën dhe historinë.

Ndryshe nga të gjitha pritshmëritë e qeverive në dy vende, Konferenca e Parë Ndërqeveritare nuk do të zhvillohet brenda muajit dhjetor, por në mars.

Në dokument thuhet se ajo do të mbahet sapo të jetë miratuar kuadri negociues dhe për Shqipërinë, pra pasi i të jenë plotësuar dy kushtet e mbetura, plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i Ligjit Anti-shpifje.

Presidenca gjermane nuk ka qenë aspak aktive këto gjashtë muaj për të shtyrë më tej dosjen e zgjerimit, dhe tashmë duket se është dorëzuar duke mos u përpjekur që konferencat e para të anëtarësimit të mbahen brenda kësaj presidence, por siç duket kjo gjë do t’i kalojë presidencës pasardhëse portugeze.

Ndërkohë një tjetër zhvillim interesant nga këto përfundime të Këshillit është se për herë të parë është hequr fare Turqia, e cila deri më sot figuronte në të njëjtin grup të vendeve të zgjerimit, si vend kandidat.

Një mesazh i qartë ky i BE-së për këtë vend, pas përplasjeve dhe provokimeve të fundit në Mesdhe me Greqinë dhe Qipron, dhe para ndërmarrjes së sanksiononeve nga ana e BE-së kundrejt Turqisë, në Samitin e ardhshëm të dhjetorit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re