VALENTINA MADANI/ Partia Socialiste tërhoqi dje projektligjin për “Amnistinë Penale” nga seanca parlamentare, pasi nuk siguroi 84 votat e nevojshme për ta kaluar në Kuvend.

Votat e deputetëve të Lulzim Bashës ishin e vetmja shpresë për mazhoritarët, por nuk u arrit asnjë konsensus. Kryeparlamentarja Nikolla e hodhi në votim për heqjen e projektligjit nga rendi i ditës, që u miratua me 74 vota pro.

Ndërkohë në seancë, ashtu siç ishte paralajmëruar, Lulzim Basha dhe deputetët e tij munguan, ndaj PS-ja e depozitoi kërkesën për të hequr nga rendi i ditës projektligjin për “Amnistinë Penale”, pasi nuk arriti të bindë asnjë nga grupimet e opozitës për ta miratuar këtë dokument që kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi deklaroi jashtë ambienteve të Kuvendit se u tërhoq projektligji për Amnistinë Penale, në respekt të traditës për ta votuar me konsensus. Sipas tij, është një ligj gjithëpërfshirës dhe pa ndasi politike. Si i tillë, theksoi Çuçi kërkon rakordim me të gjithë deputetët në Kuvend.

“Në emër të grupit parlamentar e tërhoqa ligjin për ‘Amnistinë’ në respekt të traditës së deritanishme që të miratohet me konsensus, sepse përfituesit janë qoftë të majtë apo të djathtë, janë njerëz të thjeshtë që duhet të përfitojnë. Qëndrimin e Lulzim Bashës e keni dëgjuar dje, kështu që s’kam çfarë them. Ne i kemi solide votat, ka edhe të tjerë brenda Parlamentit që e votojnë ‘Amnistinë’ dhe ne jemi të duruar për të respektuar traditën. Të shohim se çfarë do ndodhë në ditët në vijim. Sot e tërhoqëm në respekt të traditës për ta votuar me konsensus”, – deklaroi Bledi Çuçi.

Ai hodhi poshtë çdo pretendim senuk i ka 84 votat e nevojshme për ta miratuar.  “84 vota janë gjithmonë në Parlament”, deklaroi Çuçi.

REAGIMI

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, shigjetoi dy grupimet e opozitës, në mënyrë të veçantë Lulzim Bashën, që kërkon amnistinë e protestuesve të opozitës. Ministri foli me siguri që dokumenti i hartuar prej tij nuk amniston veprat e korrupsionit dhe se do të marrë në Parlament më shumë se 84 votat e nevojshme.

“Këto ditë kam dëgjuar edhe plot gënjeshtarë politikë, të cilët mashtrimin e opinionit publik e kanë kthyer art më vete, madje një pjesë e tyre jo vetëm e kanë ves, por e kanë bërë edhe qenie të karakterit të tyre duke mashtruar opinionin publik se me këtë draft amnistie ne duam të amnistojmë zyrtarët e lartë të korruptuar të këtij vendi që janë dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. E kemi bërë të qartë që nuk ka amnisti për korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe drafti është në dyert e kësaj salle në dritë të diellit.

Tani dhe një nga ato gënjeshtarë që mashtrojnë e kishit pak përpara këtu që tha kjo amnisti synon të lirojë zyrtarët e korruptuar. Pra, mazhoranca synon të amnistojë zyrtarët e korruptuar. Nuk ju vë faj, sepse këto ditë janë bërë bashkë për të shpalosur alternativën dhe programin dhe më vjen keq se zoti Bardhi është edhe jurist, është bërë bashkë me Flamur Nokën, nga veriu në jug dhe mos prisni gjë të vërtetë nga ata. Sepse fjala e vërtetë dhe e vërteta tek ky çift ka kohë që ka ikur në drejtim të paditur. Kur gënjen, një herë, dy herë, tri herë, gënjeshtra të kthehet pjesë e karakterit”, – tha Manja.

Një përgjigje, Manja e pati sërish për Bashën sa i përket kërkesës për të amnistuar protestuesit. Sipas ministrit, Basha kërkon amnisti vetëm për protestuesit e vet gjatë viteve 2018-2020 dhe jo për ata në vitet pasardhëse.

“Jo, Lulzim Basha ka kërkuar amnisti për të gjithë protestuesit 2018-2020, vetëm për ata të vetët. Ka kërkuar amnisti për shkatërrim prone me zjarr, shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës dhe shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse. E ç’lidhje kanë këta me protestën? Pyetja është shumë e thjeshtë, po për ata që protestuan më 8 janar a do ketë amnisti? Që këtu janë të pandershëm, kompromentojnë parimet e amnistisë. Barazia para ligjit. Nuk mund të ketë amnisti për protestuesit 2018-2020 dhe jo amnisti për ata që kanë protestuar 2020-2024″, u shpreh Manja.

Sipas tij, mazhoranca nuk do një amnisti me vota të kushtëzuara.

“Nuk kërkojmë absolutisht votat e njërit grupim apo grupimit tjetër. Kërkojmë votat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, siç e ka pasur tradita, sepse amnistia është akt mëshire i sovranit. Është në nderin e çdo deputeti që pasi të lexojë ligjin brenda atyre parimeve që ka amnistia të japë votën dhe është në nderin e çdo deputeti. Nuk mundet dhe nuk duam një amnisti me vota të kondicionuara”, tha Manja.

Sipas tij, do të ketë mbi 90 deputetë që do të votojnë për këtë projektligj sepse në Kuvend “ka deputetë të përgjegjshëm”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re