Gjykata në Shkup shpalli fajtorë ish-kryeministrin dhe liderin e VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe sekretarin e përgjithshëm në qeverinë e tij Kiril Bozhinovski për rastin “Talir 2” dhe urdhëroi konfiskimin e selisë shtatëkatëshe të partisë.

Gruevski në shkallë të parë u dënua në mungesë me gjashtë vjet burgim, ndërsa Bozhinovski me dy vjet burgim me kusht. Përveç konfiskimit të të ashtuquajturit “Pallati i Bardhë” në qendër të Shkupit, gjykata, siç raportojnë mediat lokale, ka vendosur edhe për konfiskimin e rreth tridhjetë selive partiake në brendësi.

Sipas aktgjykimit, Gruevski dhe Bozhinovski janë shpallur fajtorë sepse në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën e tyre për partinë e tyre të atëhershme VMRO-DPMNE, kanë përfituar një objekt të ri në vlerë prej shtatë milionë euro dhe dy milionë euro të tjera, me të cilin kanë blerë pasuri të paluajtshme shtesë.

Aktakuza e ngritur në vitin 2017

Në rastin “Talir 2”, për të cilin ishte ngritur aktakuzë në korrik 2017, Gruevski dhe Bozhinovski u gjykuan për keqpërdorim të pozitës zyrtare për t’i mundësuar kompanisë Beton nga Shkupi që të ndërtojë selinë e VMRO-DPMNE-së, edhe pse kishte marrëveshje për prokurim publik me autoritetet shtetërore, që është në kundërshtim me ligjin për partitë politike.

Gjyqtarja Danijela Aleksovska Stojanovska gjatë caktimit të dënimit theksoi se vlera e tregut e tokës që pala ia ka dhënë kompanisë së Shkupit Beton, e cila nga ana tjetër duhet të ndërtojë dy objekte, një hotel dhe selinë e partisë, kap vlerën e 800 mijë eurove.

“Të pandehurit Kiril Bozhinovski dhe Nikolla Gruevski së bashku në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2016, duke shfrytëzuar mundësi të caktuara, kanë keqpërdorur pozitën e tyre dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë financuar partinë VMRO-DPMNE dhe objektin me kontratë për ndërtim me Beton, duke fituar në mënyrë të kundërligjshme pronë dhe përfitim të konsiderueshëm kundërligjor për partinë”, tha ajo.

Aktgjykimi në rastin “Talir 2” është dënimi i pestë me burgim për Gruevskin, i cili në fund të vitit 2018 u arratis në Hungari, për t’iu shmangur vuajtjes së dënimit me dy vjet burg për blerje të paligjshme të një Mercedesi zyrtar të blinduar, ku mori azil politik.

Ndaj ish-kryeministrit dhe ish-liderit të padiskutueshëm të VMRO DPMNE-së janë në pritje edhe disa raste të tjera, duke përfshirë parregullsitë zgjedhore në rastin “Titaniku”, si dhe organizimin e dhunës ndaj kundërshtarëve politikë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, prill 2017.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re