Në një kohë kur shtetet më të mëdha të BE e kanë pezulluar përkohësisht vaksinimin me Astra Zeneca, në Shqipëri mësuesit janë përballë frikës dhe pasigurisë, por edhe presionit për të shkuar për të marrë dozën e parë të saj.

Në shumë qytete të vendit, të gjithë mësuesit që nuk duan ta marrin dozën e vaksinës duhet të plotësojnë një formular me arsyet e vendimit që kanë marrë, edhe pse qeveria ka deklaruar se kushdo që nuk do të vaksinohet është i lirë në vendimin e tij.

Komiteti i Ekspertëve apo Agjensia e Barnave në vendin tonë nuk kanë asnjë reagim deri më tani, që po përhapet me shpejtësi në të gjitha vendet europiane, qoftë edhe nëse pas kësaj fushate, fshihen interesa tregtare.

Shteti më i fundit që ka pezulluar përkohësisht vaksinimin me Astra Zeneca është Suedia, pikërisht vendi të cilin kryeministri pak ditë më parë na e dha si garanci për dozat e vaksinave që kanë hyrë në vendin tonë.

I pyetur për garancitë që kishte për vaksinën Astra Zeneca, Rama dha si argument pak ditë më parë se ajo kishte mbërritur nga Suedia, dhe sipas tij në këtë vend nuk kishte asnjë shans që të qarkullonin vaksina të pasigurta.

Por në një efekt domino, në të paktën 12 vende të zhvilluara Europiane, edhe Suedia ka njoftuar pezullimin e Astra Zenecës, ndërkohë që në Shqipëri “ata lart” janë shumë entuziastë, që numrat e vaksinave po iu shtohen.

Franca, Iitali, Gjermania, Spanja, Danimarka janë disa prej shteteve të Unionit që kanë marrë vendimin për të pezulluar vaksinën Astra Zeneca deri sa të merret një vendim përfundimtar nga organizmat ndërkombëtare.

Ekspertët e sigurisë së vaksinave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të takohen sot për të shqyrtuar Oxford-AstraZeneca, pasi shumë vende europiane ndaluan përdorimin e tyre.

Ndalimi ka ardhur për shkak se ka pasur raportime nga të vaksinuarit në Europë, për mpiksje gjaku.

Rregullatori i ilaçeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe OBSH thonë se nuk ka prova të një lidhjeje mes vaksinave dhe një mpiksjeje gjaku.

Ekspertët, pas takimit të sotëm, pritet të marrin vendim të enjten, nëse do të vazhdojë vaksinimi me Oxford-AstraZaneca. Rreth 17 milion njerëz në BE dhe MB kanë marrë një dozë të vaksinës, me më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut të raportuar që nga java e kaluar, tha AstraZeneca

Shqetësimet se mund të ketë një lidhje bënë në 12 vende europiane të pezullojnë përkohësisht përdorimin e vaksinës.

Vende të tjera, përfshirë Austrinë, kanë ndaluar përdorimin e grupeve të caktuara të vaksinës si një masë paraprake. Sidoqoftë, Belgjika, Polonia, Republika Çeke dhe Ukraina thanë se do të vazhdonin të administronin vaksinën AstraZeneca./faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re