Skip to content

S’ka të ndalur terrori në Bregun Perëndimor

Situata në Bregun Perëndimor të pushtuar nga izraelitët, ka arritur në nivele kritike pas një vale sulmesh sistematike dhe të dhunshme të ndërmarra nga milicitë e kolonëve izraelitë. Ngjarjet e fundit, të përqendruara kryesisht në zonën e Masafer Yatta në jug të Hebronit, përshkruhen si një fushatë e mirëfilltë terrori që synon dëbimin e banorëve vendas përmes dhunës fizike, shkatërrimit të pasurisë dhe vrasjeve.

Një nga ngjarjet më tronditëse u regjistrua nga kamerat e sigurisë në fshatin Khirbet al-Fakhit. Një burrë palestinez, i cili po ecte i qetë në pronën e tij, u sulmua brutalisht nga një grup prej pesë kolonësh të armatosur me shkopinj dhe shufra hekuri.

Dëshmitë tregojnë se si viktima u godit vazhdimisht në kokë dhe në fytyrë, madje edhe pasi kishte rënë në tokë pa ndjenja. Gjatë kësaj kohe, anëtarët e tjerë të grupit të kolonëve mbanin nën kërcënimin e armëve familjarët e viktimës, duke i penguar ata të ndërhynin. Pasi familja u mbyll brenda shtëpisë, agresorët tentuan të thyen dyert dhe hodhën spraj djegës përmes dritareve të thyera, duke shkaktuar panik te gratë dhe fëmijët.

Nata mes të martës dhe të mërkurës, u shndërrua në një skenë të hapur pogromesh të koordinuara në tre fshatra: Khirbet al-Fakhit, Khirbet Tibnah dhe Khirbet al-Halawa. Kolonët jo vetëm që sulmuan fizikisht banorët, por ndërmorën një aksion të gjerë plaçkitjeje, duke vjedhur dhe vrarë bagëtitë e fermerëve vendas, të cilët mbijetesën e tyre e bazojnë pikërisht te blegtoria.

Sipas dëshmitarëve, kur ambulancat dhe ekipet e mbrojtjes civile tentuan të mbërrinin në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit, ato u bllokuan dhe u goditën me gurë nga vetë kolonët. Ndërsa milicitë civile terrorizonin fshatrat, ushtria izraelite kreu operacione paralele që rënduan edhe më shumë bilancin e viktimave.

Në al-Dhahiriya, ushtarët qëlluan për vdekje 20-vjeçarin Mohammed Rajih Nasrallah dhe shkatërruan me mjete të rënda mbi 100 rrënjë ullinj, si dhe një strukturë tregtare. Ngjarje të ngjashme u raportuan edhe në Tulkarem, ku ushtarët qëlluan mbi dy të rinj (motër e vëlla) teksa dilnin nga shtëpia e tyre.

Ndërsa vajza u trajtua nga ekipet mjekësore, i vëllai i plagosur u mor forcërisht nga ushtarët, të cilët penguan ndihmën e parë. Ky përshkallëzim i dhunës vjen në një kontekst politik ku kolonitë, ndonëse të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, po zgjerohen me ritme të shpejta nën mbrojtjen e qeverisë aktuale të Tel Avivit.

Banorët palestinezë të këtyre zonave, kryesisht blegtorë dhe bujq, po gjenden gjithnjë e më shumë të rrethuar dhe të pambrojtur përballë një axhende që synon asgjësimin e prezencës së tyre në këto troje.

Sulmi i fundit në Turmus Ayya, ku u shkulën qindra pemë ulliri, dhe vrasja e një palestinezi tjetër në veri të Jeruzalemit, dëshmojnë se gjeografia e këtij terrori po shtrihet në të gjithë territorin e pushtuar./tesheshi/