Në mbledhjen e qeverisë mëngjesin e sotëm, Rama ndau detyrat për ministrat dhe tha se vetë atij do ti shtohej një detyrë e re, ajo e marrjes së kryesimit të OSBE-së. Kreu i qeverisë tha se sot do të nisej drejt Bratislavës, dhe më pas në Turqi, ku do të organizohet një konferencë me donatorë për Shqipërinë.

“Unë duhet të iki pas pak, Shqipëria merr presidencën e OSBE-së, dhe do të udhëtoj për në Bratislavë, unë do të kem edhe një ngarkesë plus duke qenë në rolin e kryesuesit.

Po përgatitemi për konferencën e donatorëve në Turqi për të cilën ka dhënë ndihmën e tij presidenti Erdogan, u kam kërkuar, do të kthehem me çadra me vete. Unë duhet të largohem sot, por detyrat në terren janë të ndara, nesër në orën 07:00 më keni këtu prapë”, tha kreu i qeverisë.

Ndërkohë që në seancën e fundit parlamentare të këtij viti, që do të mbahet në 19 Dhjetor, Rama kërkoi që të votohej ligji antishpifje, dhe që ndëshkon mediat që përhapin lajme të rreme, veçanërisht në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Po ashtu Rama ngarkoi me detyrë Etilda Gjonajn dhe Klotilda Ferhatin që deri në këtë seancë të jetë përgatitur një ligj special për rindërtimin.

“Lajmet e rreme janë kriminale, mjafton rasti se kjo solli një të vdekur, se u tha që spitali i Durrësit ishte shembur, pa llogaritur kaosin dhe pa llogaritur plagosjen. Do të ketë një ashpërsim të ligjit anishpifje, veçanërisht për kushtet e emergjencës”, deklaroi Rama.

Ndërkohë që lidhur me denoncimet në media se ka pasur detyrim të punonjësve që janë detyruar të japin para për tërmetin, Rama tha se nuk ka pasur asnjë të vërtetë, dhe çdokush që ka dhuruar e ka bërë në bazë të dëshirës së tij.

Nga ana tjetër Rama paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë shpenzim për festa, për vitin e ri, dhe as shpenzime për të shpërblyer punonjësit e sektorit publik.

“Kjo është e pavërtetë, asgjë nuk është bërë në mënyrë detyruese, ne vetë dedikuam rrogat e Nëntorit këtij procesi, nuk ka asgjë me detyrim në këtë proces, por askush nuk duhet që të dedikojë fonde nga institucione buxhetore, për Vitin e Ri, për darka dhe për valle, përkundrazi duhet të organizohemi të gjithë që të gjitha institucionet të ndajnë kohën e tyre me njerëzit që janë aty në nevojë, të çojnë lodra për fëmijët”, tha kryeministri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re