Nga Donald LU* – 

Shumë vite më parë, kur bashkëshortja ime bënte kërkime akademike mbi dhunën në familje, jepte mësime joge në një strehëz në Azinë Qendrore për gratë që kishin qenë viktima të trafikimit ose të dhunës me bazë gjinore. Shpesh herë, ajo kthehej në shtëpi me histori të pabesueshme për ato që gratë dhe vajzat kishin pësuar nga duart e trafikantëve të seksit dhe bandave kriminale.
Kur sapo mbërritëm në Shqipëri, vizituam të  treja strehëzat e OJQ-ve dhe strehëzën shtetërore për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit. Atje takuam vajza të reja të guximshme, disa vetëm 14 vjeçe, që ishin trafikuar dhe kthyer në Shqipëri. Pjesa më e madhe ishin refuzuar nga familjet e tyre dhe kishin përfunduar në këto strehëza.
Atje dëgjuam historinë e një viktime të dhunës në familje, të cilës një gjykatës i korruptuar ia kishte hequr fëmijët. Bashkëshorti i saj abuziv kishte qenë i dënuar për krime seksuale. Kur ajo më në fund pati guximin ta divorconte, në vend që të gjente drejtësi, gjykatat ia morën fëmijët e saj. Kujdestaria për dy nga tre fëmijët e tyre iu dha burrit i cili e rrihte, sepse ai kishte korruptuar gjykatësin. Kjo e shkatërroi atë.
Të gjithë ne luftojmë për arsye vetjake. Unë luftoj për reformën në drejtësi për këtë grua, për fëmijët e saj dhe për të gjitha familjet e tjera që kanë vuajtur nga një sistem gjyqësor i korruptuar. Luftoj për reformën në drejtësi edhe sepse është një përparësi e lartë e Presidentit Amerikan dhe e Sekretarit të Shtetit.
Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar. Komisionet e Vetingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë punuar shumë. Së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vetingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur.
Sistemi i vjetër i drejtësisë mbronte njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik. Sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht. Ky vend nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Evropë.
I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm  të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit i përfundoi mandati pesëvjeçar më 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar.
Në emër të grave dhe të fëmijëve që vuajnë si pasojë e një sistemi gjyqësor të korruptuar, shpresoj që politikanët do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do ta zbatojnë këtë reformë në drejtësi.
Më lejoni ta mbyll duke lavdëruar Erinda Ballancën.  Ajo më ka bërë përshtypje si një  njeri me bindje dhe vlera të thella vetjake.  Ajo do luftojë fort për të drejtat e grave, fëmijëve, pakicave, komunitetit LGBTI dhe të personave me aftësi të kufizuar.  Ne qëndrojmë përkrah Avokates së Popullit në mbrojtje të të drejtave të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

*Ambasadori i SHBA në Tiranë

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re