Pas një mungese prej disa ditësh të kuponave për karta identiteti në postën qendër në Korçë por edhe në filialet e tjera të qarkut, kanë mbërritur këtë të martë 1500 kupona, nga të cilat më shumë se 800 u shitën gjatë paradites.

Sipas kryetares së Postës Qendër në Korçë Anduena Fejzulla aktualisht përveç Korçës janë furnizuar edhe filialet e tjera të qarkut me sasi të mjaftueshme të kuponave për karta identiteti.

Fejzulla tregon se mungesa e kuponave për disa ditë ka ardhur për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, kur prodhimi i kuponave ka qenë i pakët nga ana e kompanisë.

Ajo thotë se pavarësisht këtij furnizimi që ka ardhur ditën e sotme, është kryer kërkesë edhe për sasi të tjera kuponash për karta identiteti, të cilat janë mjaft të kërkuara sidomos nga qytetarët të cilëve iu përfundon këtë vit afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit.

Qeveria ka vendosur si afat të fundit 20 dhjetorin për të kryer aplikimet për kartat e reja për këtë katëgori të popullatës.

Kërkesa ka qenë e lartë nga ana e qytetarëve për kuponat për kartë identiteti, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë mungesë sa i takon kuponave për pasaporta, si ato të shpejta ashtu edhe kuponat normalë të pasaportave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re