Në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit sot përfundon moratoriumi 1-vjeçar i cili kërkon mos-anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe lobim për njohje nga ana e Kosovës.

Kosova që nga sot mund të fillojë lobimin për njohje diplomatike nga shtetet e tjera, si dhe për anëtarësim, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e SHBA-së për vazhdim të moratoriumit nga Qeveria.

Nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur ende asnjë deklaratë deri më tani, nëse do të fillojë një lobim për njohjen e pavarësisë apo do të vijojë të respektojë memorandumin.

Pak ditë më parë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në samitin e Sllovenisë u shpreh se ka informata që Kosova do të fillojë fushatën e njohjes ndërkombëtare, për të cilën siç është shprehur dhe më herët nëse ndodh atëherë Serbia do të fillojë të lobojë për ç’njohjen e saj.

Moratoriumi në marrëveshjen e nënshkruar nga dy shtetet vitin e kaluar nën administrimin e ish-presidentit Donald Trump parashihej edhe për Serbinë që të mos vazhdonte fushatën kundër Kosovës.

“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur.

Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thuhej në një nga pikat e marrëveshjes.

Në anën tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të vazhdohet moratoriumi lidhur me çështjet e njohjes.

“Në mënyrë që të mbështetet suksesi i dialogut dhe përpjekjeve të tjera, ne inkurajojmë të dy palët që të mbajnë moratoriumin e tyre mbi çështjen e njohjeve që komplikon përparimin në fushat teknike”, tha një zëdhënës i DASH-it gjatë së premtes.

Po ashtu, nga DASH-i kanë kërkuar respektimin e detyrimeve të dala nga Marrëveshja së Uashingtonit edhe këtë vit nga të dy shtetet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re