Një ngjarje tragjike ka ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, atje ku një fëmijë 5 vjeçar ka ndërruar jetë.

I mituri është goditur nga një mjet lundrues, dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”-njoftoi policia.

Mbi rastin ka reaguar përmes një njoftimi AMP (Agjencia e Mbikqyrjes Policore), e cila njoftoi se personi që drejtonte mjetin lundrues, rezulton të jetë oficer me gradën komisar dhe me detyrë shef i seksionit të policimit në komunitet (komisariati Elbasanit). AMP thekson se mbi të ka nisur procesi hetimor.

“Pas marrjes dijeni të ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit, ku shtetasi A. T., me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, ka goditur për vdekje një fëmijë 5 vjeç ndërsa drejtonte një mjet lundrues, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor për hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Aktualisht, shtetasi A. T. ndodhet i shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë.”-thuhet në njoftim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re