Një tatuazh përkujtimor për dy fëmijët që humbën jetën në lumin Arachthos është kthyer në qendër polemikash në Greqi.
Ledian Goga, shqiptari që u hodh heroikisht në lumë për të shpëtuar të miturit, vendosi të mos i harrojë kurrë. Ai realizoi në trup një tatuazh me portretet e tyre – një gjest i dhimbshëm dhe simbolik që u përhap në të gjitha rrjetet sociale.
Por ndërsa shumë e panë si një akt human dhe emocional, të tjerë nisën akuzat.
Fotis Karkasinas, artisti që realizoi tatuazhin, rrëfeu se është përballur me kritika të ashpra në një emision televiziv, ku u akuzua publikisht se “e bëri për reklamë”.
“Kur bën tatuazhe të tilla, e ndjen gjithë barrën emocionale… Goga më tregoi çfarë donte dhe e zgjodhëm së bashku foton që kishte prekur gjithë Greqinë,” – tha Karkasinas për mediat.
Ai shtoi se nuk kishte asnjë motiv përfitimi dhe se ishte i tronditur nga mënyra si u trajtua:
“Gazetari nuk bëri asnjë verifikim. Më ofendoi pa e ditur çfarë përfaqëson ky tatuazh. Nuk respektoi dhimbjen.”
Tatuazhi është bërë simbol i një akti të pastër dhe të ndjerë – por edhe shembull se si shpesh, edhe gjestet më njerëzore mund të keqinterpretohen.
https://youtu.be/NAF1ZM9r4Dg
