Një qytetar ka denoncuar në emisionin “Stop” se është mashtruar nga një grua që pretendon se është punonjëse e Kadastrës dhe i ka marrë 3.7 milionë Lekë të vjetra për t’i regjistruar një pronë të tijën.

Denonuesi nga Kashari thotë se gruaja nga Vora e quajtur Eljana Gjoka Ismaili, e ka mashtruar duke u hequr si punonjëse kadastre.

Qytetari ia ka dhënë paratë para rreth 1 viti dhe ende nuk ka asnjë dokument të dorë. Eljana Gjoka Ismaili i ka bllokuar kontaktet dhe nuk pranon të takohet me djalin e familjes për t’i dhënë shpjegim për paratë apo zgjidhjen e certifikatës së pronësisë.

“Kisha një parcelë prone pa certifikatë edhe kjo më tha që të ndihmoj unë, ta bëj unë certifikatën. Quhet Eljana Ismaili. Ma prezantoi një komshiu im, m’u prezantua si punonjëse e Kadastrës. Më tha që më duhen kaq lekë për të vazhduar procedurën e parë të aplikimit. Në fillim i kam dhënë 200 mijë Lekë të vjetra. Pastaj do paguaj taksat, do bëj këtë, do bëj atë. Arriti shifra deri në 3 milionë e 700 mijë Lekë. Ndërkohë që i thoja ku kemi ngelur deri tani, ajo më thoshte do vonojë procedura, do ta shohin ekspertët, punon ekspertja ime, po punoj online. Ishin të gjitha mashtrime. Ka që në Prill vitin e kaluar. Nuk kam arritur ta takoj në zyrë, thjesht rri në zonën e Vorës. Lekët ka ardhur m’i ka marrë te vendi i punës, edhe te shtëpia u ka marrë prindërve të mi, nga 300, nga 500, nga 900. E mora në telefon, çfarë do bëjmë i thashë se do e mbyllim këtë gjë. Tha më prit pak ca ditë, më ler 3 ditë afat dhe do t’i sjell letrat, po s’të solla letrat do të sjell lekët. I thashë shpenzimet që ti ke bërë, mbaji aty. Ama 3 milionë e 700 mijë Lekë për një aplikim 35 mijë Lekë të vjetra, është shifër marramendëse. I shkruajta, bëri blok në ËhatsApp. E marr në telefon, bën blok. Në momentin që e marrë në telefon edhe me numra të tjerë, sa t’i prezantohem që jam X person, bllokon numrin dhe ma mbyll”, thotë denoncuesi.

Përmes telefonatave me numra të tjerë, Eljana gjen gjithmonë një justifikim.

Denoncuesi-O Eljanë! Lenci jam..!

Eljana Gjoka Ismaili-Kur të mbaroj unë punë këtu, sot ndoshta nuk e di a mbaroj punë shpejt, se po coj dosjet në Durrës.

Denoncuesi-Ti e more përsipër, që do e bëj unë, ta nxjerr unë dokumentin. More dhe lekët, 3 milion e 700 mijë lekë, edhe tani më thua mua, që duhen edhe 900 mijë lekë të tjera, që të të jap dokumentin.

Eljana Gjoka Ismaili-Një sekondë! Më le ta mbaroj si punë! Po s’ta mbarova, përgjigjem unë…

Denoncuesi-Po nuk kam, cfarë të pres më, se kam që në prill vitin e kaluar, që të pres ty.

Eljana Gjoka Ismaili-Ti ke 40 vjet, që pret për atë pronë.

DITA E DYTË…

Eljana Gjoka Ismaili- Hic për Zotin! Isha në mbledhje, prandaj nuk ta hapa. Të kërkoj ndjesë!

Denoncuesi- Në cfarë vendi te puna?

Eljana Gjoka Ismaili-Tani do iki në Elbasan, sa më thanë një dosje me e cu…

Denoncuesi-Po mirë, ku e ke punën, në cfarë Kadastre punon ti? Se unë po interesohem rreth e përqark dhe s’po të gjej në asnjë Kadastër!

Eljana Gjoka Ismaili-Interesohu ku të duash ti…! S’kam më punë! Hajd’ mirupafshim…!

DITA E TRETË…

Denoncuesi-O Eljana! Hëë.., si kalove ti? Jo si vënd, ku punon, se unë e di?

Eljana Gjoka Ismaili-Në Kadastër..punoj o vëlla, brënda në kat të dytë!

Denoncuesi-Aaa mirë, mirë…

Eljana Gjoka Ismaili- Sapo më njoftuan, që më kanë shkarkuar nga puna. Më njoftoi, që është bërë gati shkarkimi. Kur të jem aty te puna, do të marr në telefon, të folësh një çikë me drejtoreshën…

Denoncuesi arrin që të takohet me Eljanën. Takimi është filmuar me kamera të fshehtë.

Denoncuesi- Më mori Vathi (babi) në telefon dhe më tha, që të kanë shkarkuar nga puna…?!

Eljana Gjoka Ismaili-Po jo mo burrë, nuk i thashë ashtu. N.q.s do fillojë Lenci me ato gjëra, më mërzit kot thashë unë…

Denoncuesi-Tani problemi është këtu,”si me e bo këtë punë bashkë”?! Paret janë pagu…

Eljana Gjoka Ismaili- Nuk ja u kam mohu kurrë. Ja u kam mohu?

Denoncuesi-Ku i ke faktet? Ku i ke dokumentat?!

Eljana Gjoka Ismaili-Një sekondë! Drejtori, që qe më përpara aty, i ka bërë të gjitha procedurat. Unë jom larg, se të premten e kaluar e kam hush muhabetin tat…Madje shiko si më tha! Shiko njëcikë këtë përgjigjen e fundit, që ke…

Denoncuesi-Po këtë e kemi pas që qëkur..,kush ka vulos, firmos, se unë i kam me vulë të vogël?

Eljana Gjoka Ismaili-Këtë AMTP, unë nuk e kam pas ..o zemër kjo është në emër të gjyshit tat, nuk ka as Islam, asnjë gjo. Këtë ia kam marrë Islamit te letrat e veta.Është në emër të gjyshit tat, nuk ka as Islam, as gjo… sa kohë do të më lesh, që ta zgjidh…?

Denoncuesi-Tani, ku i ke taksat, që i ke pagu?

Eljana Gjoka Ismaili-Po do t’i bie unë taksat…

Denoncuesi-Jo i dua tani! Ik tërhiqi tek zyra! Ku e ke zyrën…?

Eljana Gjoka Ismaili-Mirë! A të ngjitem njëcikë lart?

Denoncuesi-Mirë ik bjere atë! Ngjitu, të pres këtu…! S’kam cfarë të bëj, ti më ke marrë 3 milionë e 700 mijë lekë. I ka mbajt mami me shënim…

Eljana Gjoka Ismaili-Mirë!

Denoncuesi-Për këtë arsye, ku i ke taksat, që ke pagu?

Eljana Gjoka Ismaili-Në arshivë kanë shku, por duro…!

Denoncuesi-Po ku kanë shku, pra…?

Eljana Gjoka Ismaili-A ke bezdi të ngjitem njëcikë lart…?

Denoncuesi-Më ke marrë 3 milionë e 700 mijë lekë dhe asnjë procedurë tjetër s’ke bërë deri më sot, për 8 muaj…

Eljana Gjoka Ismaili- Kush thotë? Ti i ke t’gjitha letrat.

Denoncuesi-Eljanë, lekët i kam marrë borxh, për të t’i dhënë ty. M’i jep në sekondë, ose shkojmë tek noteri, më jep makinën!

Eljana Gjoka Ismaili- Hajde shkojmë tek noteri…!

Pas qytetari, është radha e gazetarit të “Stop” i cili arrin ta gjejë Eljanën pranë Kadastrës në Rinas, duke e përballur me denoncuesin. Ajo pranon se ka marrë 3.7 milionë lekë, duke këmbëngulur se është punonjëse e Kadastrës. Jo vetëm kaq, po prek fizikisht edhe gazetarin.

“A do ta vazhdosh apo do ta mbyllësh? S’kam mashtruar asnjë unë. Më jep çik me dokument që ia kam marrë lekët. Nuk i kam marrë asnjë lekë. Kam qenë te Kadastra e Durrësit në 2008, 2009, 2010, 2011”, i thotë gazetarit.

Në fund Eljana kërcënon denoncuesin në prani të kamerave, për këtë që i bëri, duke i thënë se të tërhiqet për 24 orë ose “nuk do të bëjë më hajër”.

“Me rob shpie, ke afat 24 orë të më pastrosh emrin. Mos e gjetsha djalin që e kam pa sy në ballë, ti nuk bën më hajër. Kaq po të them”, kërcënoi ajo qytetarin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re