Emri i Thoma Gëllçit në krye të RTSH është shoqëruar me skandale të një pasnjëshme. Përmes një raporti mbi buxhetin e shtetit për vitin 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se shumë institucione kanë marrë kredi dhe garant dilte shteti, por në mbarimin e garancisë këto institucione nuk shlyenin kredinë e marrë dhe pagesën detyrohej ta bënte qeveria me para nga arka e saj.

Një ndër këto institucione është edhe Radio Televizioni Shqiptar, i cili në 2018 ka marrë kredi me vlerën e 165,685 mijë lekëve dhe në 2019 ka marrë një tjetër kredi në shumën 486,82 mijë lekë. Në të dyja rastet huaja është paguar nga buxheti i shtetit, pasi institucioni vetë ka shkelur garancinë dhe nuk ka pasur aftësinë paguese, kjo ka bërë që detyrimet e prapambetura të buxhetit të shtetit të rriten ndjeshëm. Konkretisht, vetëm nga borxhi i papaguar i RTSH, niveli i detyrimeve të prapambetura është rritur me 2.6 milionë euro.

“Gjatë vitit 2019, konstatohet se Buxheti i Shtetit ka kryer pagesa si pasojë e paaftësisë paguese edhe të Radio Televizionit Shqiptar, duke rritur stokun e detyrimeve me 321 milionë lekë (2.6 milionë euro). Situata është shumë problematike sepse vendos buxhetin e shtetit në risk për kryerjen e pagesave që kanë dështuar të kryhen nga ky përfitues i garancisë dhe rritjen e detyrimeve në vlera tepër të larta”, thuhet në raport. Sipas KLSH, RTSH dhe institucione të tjera kanë përfituar nga procedura që ka ndjekur Ministria e Financave me garancinë e dhënë për ta. Sepse në këtë mënyrë, ata edhe pse vonojnë pagesat u kanë shpëtuar penaliteteve dhe aplikimit të kamatëvonesave.

Radio Televizioni Shqiptar i drejtuar nga Thoma Gëllçi ka kryer edhe një sërë shkeljesh të tjera. Sipas të dhënave nga auditimi i KLSH, RTSH ka firmosur disa kontrata për tendera duke mos respektuar rregullat. KLSH sqaron se, shumë herë RTSH ka bërë regjistrim me vonesë të kontratës, ose ka përdorur të njëjtat të dhëna dhe të njëjtën vlerë për tendera të ndryshme, për të shmangur regjistrimin e faturës, e cila bëhet para se të nënshkruhet kontrata. “Nga auditimi i data bazës së kontratave, konstatohen edhe këtë vit regjistrime rishtas të kontratave të viteve të mëparshme me përshkrimin “migrim kontrate”.

Nga shqyrtimi i rasteve të regjistrimit të kontratave me vonesë vihen re se nga disa njësi kontrata regjistrohet në të njëjtën datë me urdhër shpenzimin për pagesën e faturës së parë si parakusht për regjistrimin e faturës. Pra kontrata regjistrohet jo si një domosdoshmëri në përputhje me Udhëzimin, por vetëm si një dokumentacion shoqërues i faturës miratuar për pagesë”, thuhet në raport. Ndërsa, theksohet se aplikimi i këtyre lloj kontratave nga Radio Televizioni Shqiptar dhe institucione të tjera kanë shkaktuar 12.4 miliardë lekë humbje për buxhetin e shtetit.

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së Thoma Gëllçi ka qenë kryeredaktor i gazetës Zëri i Popullit të Partisë Socialiste, PS dhe ka shërbyer si drejtues i Departamentit të Informacionit në shumë qeveri të PS-së.

Emri i tij është lakuar edhe në raportin e OSBE/ODIR për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ku mes 20 rekomandimeve drejtuar autoriteteve shqiptare, pesë i përkisnin fushës së medias. Në rekomandimin e atëhershëm ODIHR thuhej se, “pozicionet e larta menaxhuese në televizionin publik nuk duhet të lihen në duart e njerëzve me anëtarësi të qartë politike” dhe konstatohej përkatësia politike e Gëllçit.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re