Investigimi i „Pandora Papres” ka zbuluar, se 35 përqind e udhëheqësve të sotëm dhe të mëparshëm botëror, përfshirë edhe ish-kryeministrin Britanik Tony Blair, mbretin e Jordanisë dhe presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta, si edhe miliarderë të fuqishëm janë partnerë në kompani që shfrytëzojnë parajsat fiskale offshore. Llogaritë offshore shpesh herë janë përdorur për të menaxhuar në mënyrë sekrete dhe për të lëvizur shuma të mëdha parash me qëllim që të fshehin pasurinë e vërtetë të personit. Investigimi i kryer nga konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë (ICIJ) dhe një grup prej 150 mediash përfshirë edhe seksionin turqisht të DW, zbuluan, se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore. Dokumentat e ekzaminuara tregojnë shtrirjen, në të cilën operacionet sekrete offshore kanë prekur politikat financiare globale. Ministrat e financave të Pakistanit, Holandës dhe Brazilit kanë të gjithë lidhje me kompanitë offshore, ashtu si edhe ministrat e mëparshëm të financave të Maltës dhe Francës duke përfshirë edhe ish-shefin e FMN-së, Dominique Strauss-Kahn.

Sipas ICIJ Pandora Papers tregojnë, se njerëzit e fuqishëm me pushtet, që mund të ndihmojnë t’i jepet fund sistemit të ofshoreve, në fakt janë përfitues prej këtyre sistemeve. Ata fshehin asete në kompani dhe truste të fshehta ndërkohë që qeveritë e tyre përkatëse bëjnë pak për të ndaluar qarkullimin global të parave ilegale duke pasuruar kriminelët dhe varfëruar vendet.

Nga Blair tek Babis: Elita evropiane zbulohet

Ish-kryeministri britanik Tony Blair është deklaruar kundër evazionit fiscal për dekada të tëra, por këto dokumenta zbulojnë se ai dhe gruaja e tij arritën të kenë në pronësi një godinë 8,8 milionë Dollarë amerikanë (7,6 milionë Euro) kur ata blenë një kompani real estate offshore nga famlija e ministrit të Industrisë dhe Turizmit të Bahrenit, Zayed bin Rashid al Zayani. Duke blerë aksionet e kompanisë dhe jo godinën direkt, Blair dhe gruaja e tij Cherie arritën të mënjanojnë pagesën e taksës për pronën në shumën 400.000 Dollarë amerikanë. Blair dhe al Zayani thanë, se fillimisht ata nuk dinin për implikimin e njeri-tjetrit në këtë marrëveshje, Cherie Blair tha, se burri i saj nuk ishte i involvuar në transaksion. Kompania tani është mbyllur. Emri në Pandora Papers i del gjithashtu kryeministrit çek Andrej Babis, një miliader që erdhi në pushtet më 2017 me premtimin për të luftuar korrupsionin. Regjistrimet e bëra publike tregojnë, se më 2009 Babis pagoi 22 milionë Dollarë në një zinxhir kompanish guaskë për të blerë rezindencë me dy pishina dhe një kinema në një fshat në majë të kodrës në rivierën franceze pranë qytetit të Kanës. Investigace.cz zbuloi se pronësia e kompanive guaskë dhe e shtëpive nuk ishte e përmendur në deklarimin e pasurisë së kryeministrit. Babis nuk iu përgjigj kërkesës së gazetarëve për prononcim lidhur me këtë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re