Një tjetër skandal del në skenë për kompanitë e Alma Tafanit dhe bashkëshortit të saj Nikolin Jaka.

Edhe pse firmat e tyre po bëjnë kërdinë me tenderat publikë, duke përfituar me miliarda lekë nga buxheti i shtetit, ato po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe të konsumatorëve.

Alma Tafani është pronare e vetme e kompanisë AGS, që ka fituar dy tendera kohët e fundit për larjen e çarçafëve në QSUT. Për këto dy tendera, Tafani ka marrë mbi 520 milionë lekë të vjetra vetëm për 72 ditë pune.

Pamjet e publikuara para pak ditësh nga disa media sociale, treguan qartë se mjetet e kompanisë Zepa Natyral merrnin ne ngarkim çarçafët e palarë të QSUT-së.

Zepa Natyral, është një tjetër kompani në pronësi të familjes Tafani-Jaka.

Kjo kompani dihet se ofron produkte ushqimore si qumësht, djathë, kos dhe produkte të tjera bulmetore. Si është e mundur që një kompani që tregton produkte ushqimore kryen rolin edhe të transportuesit të çarçafëve të palara në QSUT, aq më tepër në një periudhë pandemie.

Këto çarçafë duhet të merren me mjetet e kompanisë së AGS që janë posaçërisht për lavanderi dhe jo me furgonët e ushqimit.

Vizion Plus kontaktoi me drejtorin e AKU, Robert Lili, i cili tha se kjo është një shkelje e rëndë që rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Lili konfirmoi se ditën e hënë, AKU do të nisë një inspektim për këtë shkelje të rëndë.

Si duket kompania Zepa Natyral, nuk merr aspak parasysh sigurinë ushqimore dhe shëndetin e qytetarëve. Aty ku futet qumështi dhe kosi që konsumojnë çdo ditë, aty futen edhe çarçafët e ndotur të qendrës më të madhe spitalore në vend./ vizion plus

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re