Skandali i fundit i dopingut ka rezultuar edhe më negative se sa mendohej për peshëngritjen shqiptare. Vetëm një muaj pas fitimit të medaljeve të arta dhe argjendta nga Romela Begaj në botërorin amerikan vjen edhe anullimi i tyre.

Ose të paktën kjo pritet pasi shtangistja shqiptare ka dalë pozitive në kontrollin e antidoping. Menjëherë pas kësaj dhe presionit të krijuar presidenti i FSHP-së, Elez Gjoka dha dorëheqjen. Ndërsa kryesia zgjodhi si kryetar të përkohshëm Gudar Beqiraj.

Ndërkohë trajner e sportistë dolën kundra kësaj vendimmarrje duke kërkuar zgjedhje të reja dhe ata vet të jenë vendimmarrës për të ardhmen e federatës së tyre shpesh e prekur nga dopingu vitet e fundit.

Për të mbyllur gjithë këtë situatë të ‘’errët’’ të shtangës shqiptare vjen edhe një lajmërim nga Federata Europiane e Peshëngritje, e cila i ka komunikuar FSHP-së se nuk e ka më të drejtën për të zhvilluar Kampionatin Europian. Kampionati ishte planifikuar të zhvillohej në Tiranë më 23 mars por tani më shumë se me Europianin peshëngritja duhet të merret me veten.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re