Dita e premte e kësaj jave do të mbahet mend gjatë për reagimet e shumta rreth skandalit financiar në Slloveni, e ku dyshohet të jetë përfshirë edhe ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Shumë udhëheqës institucionesh, përfshirë liderët kryesor e politikanë të opozitës, analistë e gazetarë u morën me skandalin e Berishajt, i cili edhe më tutje po vazhdon të jetë diplomati numër një i Kosovës në Kroaci.

Ambasadori Berishaj, gjatë reagimit të tij tha se lajmet e raportuara në mediat sllovene janë të pavërteta dhe se do të padisë të ngrejë padi penale.
E para që i doli në mbrojtje ambasadorit ishte hiç më pak se e para e shtetit Vjosa Osmani, e cila tha se i beson Berishajt duke thënë se vetë ai i ka mohuar në tërësi këto fjalë.

Pas saj, kryeministri Albin Kurti duke cituar fjalët e ambasadorit Berishaj dhe zëdhënësit Përparim Kryeziu, tha se tashmë Qeveria është deklaruar për këtë çështje. Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se beson në pafajësinë e ambasadorit Berishaj.

Pas mesditës, Presidenca e Kosovës njoftoi se i ka kërkuar raport ambasadorit Berishaj për këtë çështje.
Martin Berishaj, i përfshirë në një aferë të jashtëzakonshme financiare e cila po e dridh gjithë Slloveninë, kur e ka deklaruar pasurinë në janar të vitit 2022, ka dështuar ta përmendë edhe kompaninë e tij në Mal të Zi, prej së cilës ai i ka tërhequr rreth 600 mijë euro. Berisha nuk i ka përmendur fare as ato mjete. Presidentja dhe Kryeministri çuditërisht vazhdojnë ta mbrojnë.

Për çështjen e skandalit financiar kanë reaguar edhe partitë opozitare. Nënkryetari i PDK-së, Bernard Nikaj, që dikur ishte vetë diplomat i Kosovës, tha se Berishaj duhet të dorëhiqet pasi e ka dëmtuar funksionimin e diplomacisë kosovare në Kroaci e Slloveni.

Nikaj ka theksuar se në këtë moment nuk është me rëndësi nëse Berisha është fajtor apo i pafajshëm, por është me rëndësi dëmi që skandali në të cilin ai është përfshirë mund t’i shkaktojë Kosovës në sferën ndërkombëtare.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se skandali i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, vërtetojnë edhe një herë nevojën urgjente për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike.
Në një përgjigje të zëdhënëses së LDK-së, Sibel Halimi, për gazetën Nacionale, kjo parti ka vlerësuar se refuzimi i pushtetit aktual ndaj kësaj të drejte kushtetuese, dëshmon qartazi frikën për një hetim të tillë.

Ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në reagimin e tij, ka shtuar disa pyetje për kryeministrin Albin Kurti.
“Pse njeriu yt po përflitet të jetë pjesë e skandalit financiar të një kompanie mafioze energjetike?”, ka pyetur Haradinaj.
Edhe përkrahësit e VV-së, e që janë analistë politik, kanë reaguar në lidhje me këtë çështje.
Ish këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, ka thënë se shefi i ekzekutivit veproi si zëdhënës i ambasadës së Kosovës kur foli për punën e Berishajt.
Gashi e ka quajtur Kurtin zëdhënës të Ambasadës së Kosovës në Kroaci.

Edhe Jusuf Thaçi, dikur zëvendësministër i MASHTI-t gjatë kohës së Qeverisë Kurti 1, ka thënë se është i zhgënjyer në lidhje me heshtjen e VV karshi skandalit të Berishajt.

“Parimi i prezumimit të pafajësisë së individit derisa të vërtetohet e kundërta, është parim i shenjtë. Bazuar në këtë parim, ambasadori i Kosovës në Kroaci është, duhet të konsiderohet dhe duhet të trajtohet i pafajshëm deri sa të ketë vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente që e shpallë atë fajtor. Nëse shpallet i pafajshëm, aq më mirë”, ka shkruar ai.

Ndërsa gjatë ditës, mediat kosovare kanë raportuar për lidhjet e mafisë energjetike të Ballkanit.
Mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë dhe dyshohet edhe Martin Berishaj. Në këtë aferë janë të përfshirë edhe tre persona që janë në zë për energjetikë në Ballkan.

Fotografinë e një tigri me gojën e mbushur me gjak e mban në profilin e tij në Twitter. Një pamje që ngjallë shumë dyshime, ashtu siç është e dyshimtë e gjithë veprimtaria e vetë biznesmenin e madh në fushën e energjetikës, Damir Fazlic. Ky i fundit bashkë me kompaninë EFT në pronësi të Vuk Hamovic dhe biznesmenin tjetër Vojin Lazarevic janë trekëndëshi për të cilët kanë raportuar media vendore e ndërkombëtare. Ata janë pjesë e asaj që shumëkush e vlerëson si “mafi e energjisë elektrike” të udhëhequr nga Lazarevic dhe Fazllic.

Kujtojmë që Damir Fazliç shpesh herë është fotografuar edhe në Shqipëri madje është përfolur për një projekt të mundshëm energjetik në ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re