Të arrestuarit në skandalin e madh financiar të kompanisë “Bankers Petroleum” janë paraqitur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku kanë kundërshtuar masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Fierit.
Bëhet fjalë për dhjetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë, përfshirë ish-drejtorin Leonidha Çobo dhe drejtorin aktual, shtetasin kinez Hongping Xiao, për të cilët është lënë në fuqi masa e sigurisë “arrest me burg”.
Seanca e sotme është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa përfaqësues të Ambasadës së Kinës nuk janë lejuar të ndjekin nga afër procesin, pavarësisht interesimit zyrtar të shprehur prej tyre.
Prokuroria i akuzon të arrestuarit dhe disa të tjerë të shpallur në kërkim për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë:
Krijimin e skemave mashtruese për TVSH-në,
Fshehje të të ardhurave,
Pastrimin e produkteve të veprës penale,
Shperdorim detyre,
Moskryerje të detyrave nga organet tatimore.
Akuzat janë ngritur mbi bazën e hetimeve që zbuluan një skemë të dyshuar mashtrimi me përmasa të mëdha që, sipas organit të akuzës, i ka sjellë shtetit shqiptar një dëm të konsiderueshëm financiar.
