Dëshmi tronditëse: Abuzimet seksuale ndaj rekruteve femra në repartin ushtarak të QAPU Bunavi vijojnë prej vitesh por jo vetëm atje
Pas denoncimeve të fundit për abuzime seksuale brenda Forcave të Armatosura, një tjetër dëshmi e fortë ka dalë në dritë. Një ish-punonjëse e repartit ushtarak në QAPU Bunavi ka konfirmuar se ngacmimet dhe abuzimet seksuale ndaj kursanteve femra janë të përhapura dhe kanë ndodhur në mënyrë të përsëritur ndër vite.
Sipas denoncueses, e cila ka shërbyer për pesë vite në këtë repart, komandantët e kursit – burra të martuar – janë përfshirë në sjellje të turpshme dhe degraduese ndaj vajzave rekrute, duke i shfrytëzuar seksualisht gjatë qëndrimit të tyre në repart.
“Nuk ka kursante që ka kryer trajnimin në Bunavi që nuk është ngacmuar apo shfrytëzuar seksualisht. Të gjitha e kanë përjetuar. Kjo është një praktikë që vazhdon prej më shumë se një dekade. Komandantët e kursit, burra të martuar, i lënë gratë në shtëpi dhe përfshihen në sjellje degjeneruese me rekrutët, deri edhe në orgji,” – rrëfen ish-rekrutja në një mesazh për JOQ Albania.
Ajo shprehet se shumica e viktimave janë ndjerë të detyruara të heshtin për shkak të frikës, presionit dhe mungesës së mbështetjes institucionale.
“Nuk kam prova fizike, por mjafton të merren në pyetje, në mënyrë të pavarur dhe private, ish-rekrutet që kanë qenë në Bunavi përgjatë dhjetë viteve të fundit. E vërteta do të dalë vetë në dritë. Të gjithë në repart e dinë çfarë ndodh – kjo nuk është një sekret.”
Ky është një denoncim i rëndë që ngre pikëpyetje serioze për funksionimin e strukturave të mbikëqyrjes brenda Forcave të Armatosura dhe trajtimin e rasteve të abuzimit. JOQ Albania do të ndjekë me vëmendje zhvillimet dhe fton çdo viktimë ose dëshmitar të abuzimeve të kontaktojë redaksinë për të sjellë të vërtetën në dritë.
