Ministri i Inovacionit dhe Sipërmarrjes në Qeverinë e Kosovës, Besim
Beqaj, dha dorëheqjen nga posti, lëvizje kjo që pasoi vendimin e
kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, pjesë e së cilës është edhe Beqaj,
për të liruar postet në institucionet e vendit nga të gjithë zyrtarët me
akt-akuza të ngritura për korrupsion.

Beqaj, që është zyrtar i lartë në Partinë Demokratike të Kosovës, së
bashku me Zëvendës Ministrin e Mbrojtjes, Agim Çeku, dhe Këshilltarin e
Kadri Veselit, Njazi Kryeziu, janë pjesë e një procesi gjyqësor në një
rast përgjimesh, që u bë i njohur si rasti “Pronto” për shkak të
përdorimit të kësaj fjale gjatë bisedave të përgjuara.

Në një konferencë për shtyp, tashmë, Ish-Ministri tha se ka vendosur
të respektojë vendimin e partisë, por i hodhi poshtë të gjitha akuzat
kundër tij.  “Sot në mëngjes kam paraqitur dorëheqjen time tek
Kryeministri i Qeverisë.

Fillimisht dëshiroj të reflektoj shkurtimisht në lidhje me Vendimin e
Partisë Demokratike të Kosovës. Konsideroj që ky është angazhim i
përbashkët i të gjithë strukturave udhëheqëse të PDK-së, pjesë e së
cilës jam edhe vetë, që të eliminohen paragjykimet dhe akuzat me
pretendime, në lidhje me proceset gjyqësore të zyrtarëve të PDK-së.

Në rastin tim, unë jam plotësisht i bindur se këto akuza janë të pa
bazuara në fakte dhe argumente ligjore, si edhe që drejtësia do ta
vërtetojë këtë. Është parimi bazë i drejtësisë që çdo kush është i
pafajshëm derisa të provohet e kundërta, e ftoj secilin që ta respektojë
këtë parim. Unë besoj që drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë time,
duke u bazuar në prova dhe fakte të argumentuara”, – tha Beqaj.

Ministri është i bindur se ky proces së shpejti do të marrë një
epilog dhe për secilën akuzë do të faktohet së nuk ka bërë asnjë shkelje
të ligjit. “Ju siguroj të gjithëve, që kjo sfidë do të kalohet shumë
shpejtë dhe do të dalë e vërteta e pakontestueshme. I bindur që ky
proces së shpejti do të marrë një epilog dhe për secilën akuzë do të
faktohet së unë nuk kam bërë asnjë shkelje të ligjit”, – deklaroi Beqaj.

Ndërsa, theksoi se do të vazhdojë të jetë pjesë e PDK-së, edhe pas
kësaj dorëheqjeje, sepse siç tha ai është një nga ata që ka kontribuuar
në dhe për PDK. “Në vizionin e Partisë Demokratike janë marrë disa
vendime, të cilat unë besoj se do të jetësohen deri në fund. Unë do të
vazhdoj të jem pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, sepse jam edhe
vetë një nga njerëzit që kam kontribuuar gjatë, në Partinë Demokratike
të Kosovës”, – theksoi ai.

Vendimi i Partisë Demokratike për të larguar zyrtarët e saj me
akt-akuza, është mirëpritur nga shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në
Kosovë, Natalya Apostolova, e cila shkroi në rrjetet sociale se pret që
“ky standard të zbatohet në të gjithë spektrin politik dhe nga të gjitha
partitë në Kosovë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re