Skip to content

Skandali i sanitares Tire Alldervishi/ Prokuroria jep pretencën për të akuzuarit që u zhvatën para pacientëve me Covid tek Sanatoriumi

Prokuroria ka dhënë pretencën për të akuzuarit që iu zhvatën para pacientëve tek Sanatoriumi, skandal i ndodhur gjatë periudhës së COVID19.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 7 vite burg për Tire Alldervishin për veprën penale, të “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe që ka sjelle pasoja të rënda.

Prokurori Beldar Valikaj ka kërkuar nga 6 vite burg për infermieret Mira Bushi, Sheqerije Koci, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj dhe akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe shpërdorim detyre.

Prokuroria kërkoi 6 vite burg edhe për sanitaren tjetër Rukije Hoxhaj.

ZBULIMI I MASHTRIMIT

Më datën 28.11.2020, nëna e kallëzueses, shtetases Eltjana Sinanaj, është shtruar te Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” pasi ka rezultuar pozitive me Covid19. Në derë i është paraqitur një shtetase e veshur si infermiere dhe i ka thënë që është infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Kjo shtetase ishte Tire Alldervishi dhe që më vonë ka marrë vesh se punonte si sanitare në këtë spital. Që në momentin e parë i ka kërkuar një shumë prej 2000 lekësh që t’i jepte telefonin së ëmës, duke i thënë që po e bënte për atë edhe pse nuk e kishte parë asnjëherë më përpara.

Më pas i thotë që ta presë në lokal. Kur vjen në lokal, i ka thënë që meqenëse infermierët e tjerë nuk lejohen të vijnë në lokal, e ka marrë ajo përsipër duke i kërkuar shumën e lekëve, e cila ishte 10 000 për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin.

Kjo shumë vazhdonte çdo ditë dhe kanë qenë ditë të pakta që kallëzuesja ka dhënë vetëm 3000 lekë për infermierët dhe 5000 për doktoreshën dhe përpos tyre i jepte listën e ilaçeve që duhet të merrte nga jashtë. Kallëzuesja nuk e dinte a po ia jepnin ilaçet apo jo, sepse e ëma i kishte thënë me mesazhe që nuk i japin asgjë nga ato që i sillnim ata.

MESAZHET E PACIENTES ME TE BIJEN

Nëna e kallëzueses kurohej në katin e dytë, në dhomën 30. Ajo ka mesazhet e së ëmës, e cila i ka pohuar që i kanë larguar karrigen e ushqimit që të mos hante se kishin merak se mos e ndërronin dhe i kanë thënë: “Vetëm lëngje do të pish dhe do të hash, vetëm kur të themi ne”.

Në një rast ka marrë një shumë prej 7000 lekësh dhe i ka thënë që për atë janë pak për atë natë dhe që kallëzuesja i kishte premtuar, sipas saj, që do ta rregullonte dorën. I ka thënë që t’i thotë sa do, se do t’ia japë në mëngjes, vetëm t’i rrijë mamit afër. Këtë gjë e ka të faktuar me anë të mesazheve në “WhatsApp”.

Mami i ka thënë disa herë që atje nuk i bëjnë shërbim. Kallëzuesja ka kërkuar për të takuar ndonjë doktor apo infermier tjetër në këtë spital, por nuk i kanë dalë, vetëm një ditë që i ka gjetur të ulur në lokal dhe ka pyetur për gjendjen e mamit, por asnjëri nuk i ka kërkuar ndonjë shumë lekësh.

Ajo ka biseduar me një infermiere, e cila quhej Bona, që i ka thënë që nuk kërkon asnjë shumë parash për shërbimet e saj. Në datën 20 dhjetor, pasi e ka kuptuar që paratë nuk i merrnin infermierët dhe doktorët, por i merrte Tire Alldervishi, kallëzuesja ka biseduar me Tiren, ku i ka thënë që t’i kthejë shumën e lekëve që ka marrë prej saj, pasi paratë i kishte marrë të gjitha për vete. Tirja nuk i ka kthyer fare përgjigje.

PARATE QE KA MARRE TIRJA

Shuma totale që kallëzuesja i ka dhënë shtetases Tire Alldervishi është rreth 800 000 lekë te rinj, duke mos përshirë ilaçet. Për këto para ajo është detyruar të marrë borxhe dhe të kërkojë nëpër shokë, pasi e kishte shumë të vështirë për t’i gjetur. Më datën 25.12.2020 nëna e saj ka ndërruar jetë gjatë natës. Këtë gjë e ka marrë vesh nga një telefonatë nga reaminatori i spitalit. Kallëzuesja dyshon që mami i saj mund të ketë ndërruar jetë edhe prej keqshërbimit, sepse ajo ka mesazhe të mamit, e cila i thotë që të mos bëjë shumë zë, sepse po i bërtasin atje.

Pas kësaj ka pritur që ta lajmëronin për situatën. Pas shumë telefonatash ku i pyet a është në spital apo në morg, i thanë që mamin e kanë shoqëruar drejt morgut që nga ora 07:30 e mëngjesit. Nuk i japin ndonjë informacion nëse do ta bëjë ajo varrimin apo do ta bënte morgu, siç bëhet në raste të tilla.

E kam marrë nga morgu vetë nënën e saj pasi nuk u interesua askush dhe ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet e funeralit edhe pse kjo gjë duhet të bëhej nga shteti. Për këtë gjë ajo është paraqitur në datën 08.01.2021 te “Stopi”, ku u ka shpjeguar situatën. Në datën 11.01.2021 ka vendosur pajisjet e emisionit për të bërë përgjimin e bisedës me shtetasen Tire Alldervishi. Në bisedën e regjistruar ajo pranon dhe pohon çdo gjë. Tek emisioni e ka shpjeguar dhe me detaje të gjithë ngjarjen.

“”