Dokumentarit propagandues kundër anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, në të cilin vendi madje krahasohet me të ashtuquajturin “Shtet islamik”, qeveria i është përgjigjur me një komunikatë për media.
 
Përderisa dokumentari “Kosova – moment në civilizim”, i autorit Boris Malagurski, ishte dhënë të premten në Qendrën Kulturore të Serbisë në Paris, Qeveria e Kosovës ka reaguar tek të dielën. Dokumentarin për të cilin gazeta kishte raportuar qysh javën e kaluar, Qeveria e Kosovës e quan dokumentar të Qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, dhe e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent, shkruan gazeta “Koha Ditore”.
 
Sipas Zyrës për informim të Qeverisë, shfaqja e dokumentarit përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës.
 
Të premten e javës që shkoi kur dokumentari u dha premierë, i pranishëm në Paris ka qenë edhe kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakic, njëherësh kryetar i Listës Serbe, parti kjo që është pjesë e Qeverisë me tre ministra.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re