NIKOLETA KOVAÇI/ Ekstradimi i shtetasit rus, Igor Kokunov, në shkelje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që ndodhi pasditen e së mërkurës ka lënë pas hije skandali.
Në vendimin e bërë publik, ndërsa Kukunov ishte dorëzuar, thuhej se “duhet që të pezullohet urgjentisht vendimi për ekstradimin e Kokunov”! Por, pavarësisht këtij vendimi të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, Igor Kokunov u ekstradua. Ajo që i shton më shumë hije këtij skandali është zbardhja vetëm ditën e djeshme e vendimit të Gjykatës së Lartë në lidhje me arsyetimin e ekstradimit të shtetasit rus.
Gazeta “Panorama” mësoi se avokatët mbrojtës janë njohur ditën e djeshme me këtë vendim, në të cilin thuhet se “shtetasit në fjalë nuk i rrezikohet jeta në Rusi, pasi ai nuk është ankuar më herët te ndonjë institucion ndërkombëtar për këtë fakt”. Por, mbrojtja e rusit që tashmë ka përfunduar në duart e drejtësisë së vendit të tij, bën me dije se në fakt për klientin e tyre ekziston një vendim i Gjykatës së Strasburgut, në kohën kur ai ishte i burgosur, vendim që ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij.
Ky vendim i dhënë në vitin 2022 tregonte se Kokunov dhe një grup personash të tjerë ishin mbajtur tej afateve në paraburgim dhe se ishin shkelur të drejtat e tyre. Por ajo që ka ndodhur të mërkurën me Kokunov në Shqipëri përbën shkelje të disa neneve të të Drejtave të Njeriut, konkretisht të neneve 2 (E drejta për jetën), 5 (E drejta për gjykim) dhe 6 (E drejta për proces të rregullt). Duke qenë se mbrojtja e rusit kërkoi me ngulm që të mos kryhej dorëzimi i klientit të tyre në shkelje të Kushtetueses, ditën e djeshme ka reaguar edhe Drejtoria e Burgjeve, e cila tha se ekstradimi i shtetasit rus ishte bërë në përputhje me procedurat ligjore.
Mirëpo në reagimin e djeshëm Burgjet cilësojnë se shtetasi rus u ekstradua në orën në orën 16:45 të datës 30 tetor, sipas procesverbalit të nënshkruar në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, ku ai iu dorëzua autoriteteve ruse. Ndërsa Burgjet thonë se, “më datë 31 tetor 2024, Ministria e Drejtësisë u njoh zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa me e-mail Gjykata njoftoi Ministrinë e Drejtësisë në orën 17:53 të datës 30 tetor, jashtë orarit zyrtar.
Ky vendim i marrë nga Gjykata Kushtetuese në datë 30.10.2024, ora 17:15, urdhëronte pezullimin e përkohshëm të procedurave të ekstradimit deri në një vendimmarrje të dytë nga kjo gjykatë, duke lënë të kuptohet se ministri nuk e ka parë këtë e-mail, meqë ka qenë jashtë orarit zyrtar dhe se ky e-mail ka shkuar në dikasterin përgjegjës 1 orë e 8 minuta pasi është ekstraduar Kokunov.
REAGIMI I BURGJEVE
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov nga Shqipëria në Rusi u realizua sipas procedurave ligjore dhe vendimeve gjyqësore të miratuara nga autoritetet shqiptare. Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Burgjeve ka përshkruar të gjitha procedurat ligjore që janë ndjekur për ekstradimin e tij. Sipas kësaj drejtorie, Kokunov i lindur më 10.02.1964 në Rusi, u arrestua në Shqipëri më 26 gusht të vitit 2023 dhe fillimisht iu caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për 40 ditë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, më 29 gusht 2023.
“Me vendim të ri më 4 tetor 2023, kjo masë u shndërrua në “Arrest në burg pa afat”, për të mundësuar vazhdimin e procedurave të ekstradimit. Në kuadër të përgatitjeve për ekstradimin, më 26.09.2024, Ministria e Drejtësisë kërkoi informacione për gjendjen ligjore të Kokunov. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konfirmoi se ai mbahej për efekt të masës së sigurimit “Arrest në burg, pa afat”, – saktëson Drejtoria e Burgjeve, e cila gjithashtu në reagimin e saj bën të ditur se pas miratimit të ekstradimit nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe konfirmimit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, Ministria e Drejtësisë miratoi ekstradimin më 14 tetor 2024.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ekstradimi i shtetasit rus Igor Kokunov u krye më datë 30 tetor 2024, në orën 16:45, sipas procesverbalit të nënshkruar në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, ku ai iu dorëzua autoriteteve ruse. “Më datë 31 tetor 2024, Ministria e Drejtësisë u njoh zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa me email Gjykata njoftoi Ministrinë e Drejtësisë në orën 17:53 të datës 30 tetor, jashtë orarit zyrtar. Ky vendim i marrë nga Gjykata Kushtetuese në datë 30.10.2024, ora 17:15, urdhëronte pezullimin e përkohshëm të procedurave të ekstradimit deri në një vendimmarrje të dytë nga kjo gjykatë”, – njofton Drejtoria e Burgjeve.
EKSTRADIMI
Igor Kokunov u ekstradua pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e procesit. Kushtetuesja doli në përfundimin se, “duhet të pezullohet urgjentisht vendimi për ekstradimin e Kokanov”, ndërkohë u bë me dije se në mbledhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese u theksua se janë kushtet që imponojnë pezullimin e përkohshëm të kësaj procedure. 60- vjeçari rus prej kohësh refuzonte ekstradimin, ndërsa avokatët e shtetasit rus pretenduan dhe pretendojnë se Kokanov u ekstradua në kundërshtim me ligjin.
“Klienti im është duke u ekstraduar në këto momente drejt Rusisë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha avokati i Igor Kokunov, Isuf Shehu pasditen e së mërkurës. Kokunov akuzohet në Rusi për veprën penale “Zënia e pozitës së lartë në hierarkinë kriminale”.
Sipas avokatëve, kërkimi i Kokunov është firmosur nga zëvendësprokurori i përgjithshëm i Rusisë, që është shpallur “non grata” nga organizatat ndërkombëtare, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kukunov u ndalua në Muriqan gushtin e vitit të kaluar në bazë të një urdhri kërkimi ndërkombëtar. Ai më herët kishte kaluar në Gjermani e në Malin e Zi. Igor Kokunov akuzohet për veprën penale të marrjes së detyrave në hierarkinë e lartë të strukturave kriminale në Rusi. I njohur ndryshe si “Vasya Bandit”, ai u arrestua nga autoritetet ruse në qershor të vitit 2020, ai gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vjetësh.
Operacioni për kapjen e tij u kodua “Moscow” dhe u zhvillua nga policia kufitare Muriqanit dhe policia e Shkodrës, në bazë të informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Moskës. Megjithatë, rusi i arrestuar, i cili u gjykua në të gjitha shkallët e gjyqësorit tonë, e refuzoi ekstradimin për shkak se në Rusi i rrezikohej jeta, por ai që në orën 16.45 të datës 30 tetor është në duart e autoriteteve të drejtësisë së vendit të tij!
/Gazeta Panorama
