Skip to content

Skandali me SHISH dhe aferat e qeverisë, protestuesit mesazh Ramës në bulevardin para Kryeministrisë: Krimi ka kokë!

Capture 240

Në ditën e 120-të të protestave qytetare kundër qeverisë, protestuesit i kanë përcjellë një tjetër mesazh kryeministrit Edi Rama, këtë herë përmes një shkrimi të vendosur në mes të bulevardit.

“Krimi ka kokë”, shkruhej në asfalt, në nisje të marshimit të protestuesve nga Kryeministria në drejtim të qendrës së Tiranës.

Mesazhi është vendosur në një moment kur protesta vijonte me marshimin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa qytetarët mbanin flamuj, pankarta dhe flakadanë dhe përsërisnin thirrjet kundër qeverisë.

Shkrimi në bulevard lidhej nga protestuesit me zhvillimet e fundit rreth ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës SPAK ka ndërmarrë procedura hetimore. Sipas akuzave të bëra publike nga prokuroria, çështja lidhet me dyshime për favorizim dhe ndihmë ndaj biznesmenit Ergys Agasi.

Protestuesit e kanë lidhur këtë çështje edhe me deklaratat e kryeministrit Edi Rama pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në Rinas, Rama foli për zhvillimet e fundit dhe mbrojti qëndrimin e tij lidhur me çështjen e ish-kreut të SHISH.