Ishte një natë e ngrohtë vere në një vilë luksoze në Ibiza të Spanjës. Për darkë, kishte ushqim luksoz deti me shampanjë, vodka dhe Red Bull, pija e preferuar e politikanit austriak të ekstremit të djathtë, Heinz-Christian Strache.

Ai erdhi nga darka në vilë për të takuar një grua të bukur dhe elegante, të veshur me një fustan firmato dhe taka të larta. Ajo u prezantua si Alyona Makarova, mbesa e pasur e oligarkut rus Igor Makarov.

Strache ishte i dalldisur, jo nga gruaja që e përshkroi si “tërheqëse” por nga propozimet që ajo i bëri për ta mbështetur Partinë e Lirisë”, në këmbim të disa marrëveshjeve korruptive.

Por e vërteta është se Makarov nuk kishte fare mbesë.

E gjithë mbrëmja që ndodhi në korrik të 2017 ishte një kurth që u krye me ndihmën e një gruaje të bukur dhe veturave sportive Mercedes Maybach e BMW M4. Kurthi të cilin z. Strache e hëngri e ka fundosur atë politikisht.

E gjithë mbrëmja ishte filmuar, gjë që tregon se operacioni ishte i planifikuar mirë dhe i mbështetur financiarisht nga kush e di kush.

Skandali i publikuar nga dy gazetat gjermane Suddeutsche Zeitung dhe Der Spiegel bëri që një qeveri e tërë të bie, dhe profili i politikanëve të ekstremit të djathtë të marrë ngjyrimet e vërteta.

Kamerat e fshehura dhe mikrofonat ishin instaluar mirë në ndërprerësit e llambave dhe në prizat elektrike.

Mikrofonat kapën çdo fjalë të nxjerrë gjatë takimit i cili zgjati pothuajse shtatë orë, thonë gazetat.

Skandali që përcolli “Ibiza-gate” nuk shkaktoi dorëheqjen vetëm të zv.kancelarit Strache, por bëri që qeveria austriake të kolapsohej, dhe konservatorët e kancelarit Sebastian Kurz të mos kenë më aleat të ekstremit të djathtë, siç i kishte ata të Partisë së Lirisë.

Kush ishte pas videos?

Ka shumë informacione e spekulime, por asnjë përgjigje konkrete.

As Suddeutsche Zeitung as Der Spiegel nuk kanë zbuluar se nga e kanë marrë burimin e videos.

Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Strache tha se kishte qenë viktimë e një “sulmi të padrejtë politik”. Sipas tij, videoja ishte “kurth tundues” i bërë nga agjencitë e inteligjencës.

Por ai nuk specifikoi se në cilat shërbime sekrete po dyshonte. Ai aludoi në një mjek izraelit – Tal Silberstein, i cili ka lidhje me opozitën e qendrës së djathtë social demokrate, por akuza hodhi edhe kah komiku gjerman Jan Bohmermann.

Silberstein ka dënuar “akuzat e rreme dhe të pabazuara” të Strache si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga skandali.

Por Bohmermann nuk është edhe aq i pa përfshirë, me gjasë. Gjatë një video-prezantimi me rastin e marrjes së një çmimi, ai tha se nuk mund të vinte pasi ishte në një vilë në Ibiza me disa oligark rus për disa biznese me shokët e tij të partisë.

A mund të jetë përfshirë Rusia?

Ka spekulime rreth lidhjeve të mundshme me Rusinë, duke pasur parasysh faktin se gruaja në video paraqitej si mbesa e një oligarku rus.

Kremlini, në anën tjetër, ka mohuar se ka të bëjë me videon.

Analistët thonë se do të ishte e pakuptimtë nëse qeveria ruse do të qëndronte mbrapa, pasi tradicionalisht ata kishte marrëdhënie të përzemërta me Partinë e Lirisë, e cila ka një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë e Bashkuar të Presidentit rus Vladimir Putin.

Ata thonë se shkak për publikimin e videos mund të ketë qenë frika e ndikimit të Rusisë në politikën austriake dhe evropiane, pak para zgjedhjeve ku ekstremi i djathtë pritet të marrë mjaft ulëse.

Por pse kanë dalë pamjet e vitit 2017 pikërisht tani? Thashethemet kanë qarkulluar për muaj të tërë, por publikimi doli tek tash.

Disa thonë se ajo mund të mos ketë të bëjë fare me ndërhyrjen e huaj dhe është një çështje e brendshme austriake; ndoshta një hakmarrje politike ose personale.

Të tjerë mendojnë se ndoshta mund të jetë një lloj hakmarrjeje ndaj mafias. Por këto janë të gjitha spekulime.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re