Mëngjesin e sotëm, më shumë se 200 persona në Serbi ndoqën live një lindje në klinikën gjinekologjike Narodni Front. Një infermiere nga ajo klinikë e transmetoi drejtpërdrejt procesin në rrjetin social TikTok.

“A është e mundur që si shoqëri të mos kemi më vetëdije se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar? A duhet që dikush të mendojë se diçka intime si lindja duhet të transmetohet?”

“Llogaria TikTok, si dhe të gjithë mjekët në lindje që e dinin se po transmetohej drejtpërdrejt, meritojnë të mbajnë përgjegjësi penale dhe sigurisht civile”, janë vetëm disa nga komentet.

Filmimi dhe publikimi i lindjes është rreptësisht i ndaluar me Ligjin për Kujdesin Shëndetësor të Serbisë, dhe menaxhmenti i klinikës ka deklaruar se dënon ashpër veprimet e infermieres dhe thekson se ajo është pezulluar menjëherë dhe se ka filluar procedura disiplinore.

Menjëherë pas kësaj, infermierja e klinikës foli dhe tha se kamera e telefonit ishte ndezur rastësisht.

“Dua të sqaroj regjistrimin live që është transmetuar nga profili im në nga ora 04:00 deri në orën 05:00 të datës 26 Prill 2023. Regjistrimi ka ndodhur padashje. Në turnin e natës të gjithë jemi të vetëdijshëm se përdorimi i telefonat celularë janë të ndaluar në sallë, por meqë na thirrën për një operacion urgjent cezarian, unë sapo e lashë telefonin në raftin e dorezave, pa e ditur që kamera e drejtpërdrejtë e Tik Tok ishte ndezur. Para telefonatës, ne po shikonim Tik Tok në sallë dhe kjo ka qenë gjëja e fundit që ka ngelur. Në video shihet se askush në sallë, nuk ka qenë në dijeni që telefoni transmetonte live. Videoja është krijuar në mënyrë spontane. Përveç pacienties shoh edhe veten duke u përgatitur për operacionin dhe pjesëmarrjen në të”, tha ajo.

Më pas ajo i kërkoi falje publike pacientes që lindi, si dhe familjes së saj.

“I kërkoj falje pacientes, së cilës i është cenuar privatësia, familjes së saj si dhe publikut të gjerë. Kam 14 vjet që jam infermiere – operator instrumentesh – dhe gjatë gjithë jetës sime të punës kam ndërtuar marrëdhëniet shumë të mira pacient-infermier, bazuar në parimet e etikës së infermierisë dhe sipas rregullave të profesionit.

Sinqerisht më vjen keq që ndodhi ajo që ndodhi, pasi aktivitetet e mia në Tik Tok ishin të fokusuara kryesisht në familjen time, miqtë dhe në përmbajtje edukative që nuk përmbanin të dhënat personale në asnjërën nga videot dhe as nuk ishin në kundërshtim me etikën mjekësore.

E përsëris edhe një herë se më vjen shumë keq dhe sinqerisht i kërkoj falje pacientes, familjes së saj, klinikës që më ushqen, gjithë kolegëve të mi dhe mbarë publikut”, tha ajo.             

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re