Lajmi i infektimit të mjekëve dhe infermierëve ka shkaktuar revoltim të bluzat e bardha, të cilët janë shprehur se nuk duan të paraqiten në QSUT, për shkak të frikës së përhapjes të koronavirusit.
Sipas burimeve mësohet se personeli mjekësor i infektuar, ditën e sotme është izoluar dhe se ky konstatim i vonë ka pasur jo pak pasoja. Në total janë 13 të infektuar, nga të cilët 7 janë staf mjekësor, 2 mjekë e 5 infermierë dhe pjesa tjetër janë pacientë, të cilët kanë qenë aty rastësisht.
“Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit. Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetizoluar, ndërsa 4 pacientë janë transferuar në spitalin infektiv”, deklaroi ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa mësohet se janë kryer janë kryer gjithsej 22 tamponë në QSUT, pasi infermierja rezultoi pozitive 2 ditë më parë.
Po si u infektua personeli mjekësor, në një kohë ata duhet të ishin më të mbrojturit?
Gjithçka ka nisur nga një infermiere, e cila ishte infektuar nga jashtë dhe më pas ishte lejuar që të ushtronte punën normalisht në ambientet e spitalit të QSUT-së. Infermierja nuk është izoluar menjëherë dhe kjo ka ndikuar që virusi Corona të përhapet edhe te kolegët e tjerë dhe te pacientët. Ajo është paraqitur në pavijon dhe e askush nuk e ka ndaluar apo t’i kërkojë izolimin, në momentin kur i është kërkuar kryerja e testimit.
I gjithë ky shpërthim i rasteve brenda spitalit, e këto fakte skandale dëshmojnë se sa i dobët dhe i dështuar është sistemi shëndetësor në vendin tonë./ gazeta-shqip
