Kordinatori i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Vorë, Vojo Bregu ka denoncuar sërish kryebashkiakun e Vorës Gentian Picari, se ky i fundit ka punësuar një person me të shkuar kriminale.

Denoncimi i radhës nga Vojo Bregu vjen pasi disa ditë më parë u denoncua publikisht ndryshimi dhe shtimi i numrit të punonjësve në strukturën e Bashkisë së Vorës.

Sipas Vojo Bregut personi i punësuar me precedent penal është Durim Ibrahimi i cili është emëruar këshilltar i kryetarit të bashkisë së Vorës, rezulton i dënur për veprën penale ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Ibrahimi është caktuar gjithashtu dhe si anëtar i komisionit të rivlerësimit të dëmeve nga tërmeti.

Postimi i plotë:

Përshëndetje!

Jemi këtu për të denoncuar skandalin e radhës në Bashkinë e Vorës.

Mesa duket Rilindjes nuk i ndahet shpirti nga personat me të shkuar kriminale në të gjithë Shqipërinë dhe në zonën e Vorës në veçanti.

Rasti që po paraqesim bën fjalë për emërimin anti ligjor të radhës kryer nga kryetari i pazgjedhur i Bashkisë së Vorës, Gentian Picari.

Para disa ditësh në kemi denoncuar publikisht ndryshimin dhe shtimin e numrit të punonjësve në struktrurën e Bashkisë së Vorës. Ky ndryshim ka pasur si synim punësimin e militantëve të rilindjes si dhe njerëzve me precedentë të theksuar penalë.

Më konkretisht, shtetasi Durim Ibrahimi i emëruar pas këtyre ndryshimeve të përmendura më lart në postin e këshilltarit të kryetarit të bashkisë së Vorës, rezulton person i dënuar me vendimin penal të formës së prerë numër 24/46, datë 21.09.2017 për veprën penale ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake’.

Personi në fjalë, përveç rolit të këshilltarit, është caktuar nga kryetari i Bashkisë së Vorës, Gentian Picari dhe si anëtar i komisionit të rivlerësimit të dëmeve nga tërmeti.

Ky është dhe dokumenti që tregon që shtetasi Durim Ibrahimi, një person me precedentë penalë, jo vetëm shkel ligjin duke marrë një funksion publik por ka dhe kompetencën të vlerësojë dhe rivlerësojë dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shtetasi Durim Ibrahimi pikësëpari ka menduar t’i kthejë nderin kryetarit të bashkisë që e ka emëruar në kundërshtim me ligjin. Pikërisht në ushtrim të detyrës për rivlerësimin e dëmeve, punën e ka nisur me banesën e xhaxhait të kryetarit të Bashkisë, zotit Sherif Picari.

Në vlerësimin e parë, banesa e shtetasit Sherif Picari është vlerësuar në nivelin e dëmtimeve DS1. Sipas këtij niveli bazuar në VKM-në përkatëse, zoti Picari do të merrte maksimumi 1 milionë lekë të vjetra. Por pas rivlerësimit të bërë nga Durim Ibrahimi, banesa e shtetasit Sherif Picari çuditërisht, ka kaluar në nivelin DS5.
Ky kapërcim i paligjshëm i jep mundësinë zotit Sherif Picari që nga 1 milionë lekë të vjetra, minimalisht të përfitojë 24 milionë ose maksimalisht 34 milionë të vjetra, bazuar në sipërfaqen e banesës, gjithmonë sipas VKM-së përkatëse.

I bëjmë thirrje SPAK-ut, që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast të faktuar, pasi ky nuk është rasti i vetëm në Bashkinë e Vorës.

Ne kemi denoncuar dhe ju sigurojmë që do të vijojmë të denoncojmë çdo rast abuzimi, në mënyrë që çdo qytetar të dëmshpërblehet në vlerat reale të dëmeve që ka pësuar dhe jo sipas lidhjes fisnore me kryetarin e bashkisë.

Ndaj në 25 prill, qytetarët e Vorës dhe të gjithë Shqipërisë duhet të votojnë për të larguar nga karriget e pushtetit këtë bandë kriminale që i diferencon qytetarët sipas teserës dhe lidhjes farefisnore.

Të gjithë shqiptarët janë të barabartë përpara ligjit!
Faleminderit!

(R.G/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re