Mbi 700 punonjës të spitalit rajonal të Shkodrës nuk kanë marrë ende pagat e muajit dhjetor.

Sindikata e Shëndetësisë bën përgjegjëse ministrinë e Shëndetësisë për këtë situatë, pasi sipas tyre spitali i ka kryer të gjitha procedurat.

Gjatë ditës së sotme një pjesë e stafit ka dashur të bojkotojë punën, por është negociuar për të mos lënë pacientët pa shërbim.

Nëse pagat nuk dalin atëherë do të ketë përshkallëzim dhe shërbimi do të ndërpritet.

Sipas kreut të sindikatës, Paolo Kaceri pagat duhet të kishin dalë që në javën e parë të janarit.

“Është data 22 dhe mendohet që as sot nuk do të merren pagat e personelit. Kjo është një neglizhencë e jashtëzkonshme e ministrisë së Shëndetësisë për arsye se spitali procedurat e veta i ka kryer në kohë, por ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë të mundur kalmin e fondeve as në datën 22. Kjo është fatkeqësi sepse gjithë personeli ka detyrime për të shlyer, janë detyrime që nëse nuk shlyhen në kohë do të shlyhen me kamatë, dhe askush nuk merr përgjegjësi për këto halle që ka personeli. Sot një pjesë e personelit mendonte të braktiste punën. I bëjmë thirrje ministrisë së Shëndetësisë që mos të përsëritet ky problem i cili mbartet prej vitesh. Nuk është viti i parë kur rrogat e dhjetorit jepen në gjysmën e janarit”, tha ai.

Ai shton se nëse kjo situatë vazhon do të merren masat dhe do të merret një vendim i caktuar./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re