Skip to content

S’kanë paraqitur asnjë provë, përfaqësuesi i PD: Nëse Kolegji s’na jep të drejtë, do ta çojmë çështjen në Strasburg

Përfaqësuesi i PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Marash Logu tha për Euronews Albania se nëse edhe Kolegji Zgjedhor nuk u jep të drejtë lidhur me pretendimet e tyre sa i përket procesit zgjedhor të 25 prillit, çështjen do ta ndjekin në Gjykatë Kushtetuese e më tej në Gjykatën e Strasburgut.

“Ankimemet tona do t’i çojmë në Gjykatë Kushtetuese dhe në Gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut,  kjo nuk është një betejë që duhet lënë në gjysmë”, tha z.Logu.

Ai shprehu besimin se Kolegji Zgjedhor do t’i japë të drejtë PD lidhur me çështjet e rrëzuara në KAS dhe do të pranojë kërkesën për marrjen e provave shtesë me të cilat siç tha, është e mundur të faktohet se 25 prilli ishte një masakër elektorale.

Z. Logu sqaroi se PD do të kërkojë sot marrje provash të reja dhe pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Durrësit dhe Shkodrës, të cilat sipas tij faktojnë shkeljet në procesin zgjedhor të 25 prillit.