Selfo Kapllani u zgjodh kryetar i bashkisë së Kuçovës në zgjedhjet lokale të vitit 2015, pas një përvoje 2-vjeçare si prefekt i qarkut të Beratit. Ai përfaqëson Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe si pjesë e koalicionit të atëhershëm Aleanca për Shqipërinë Europiane fitoi 57.13% të votave.

Selfo Kapllani u përfshi në politikën lokale pas një karriere të gjatë si inxhinier nafte. Ai ka punuar në ndërmarrjet e shpim-kërkimit në Patos dhe Kuçovë gjatë viteve 1988-2002 dhe më pas ka mbajtur pozicionin e shefit të departamentit teknik në kompaninë Servcom deri në vitin 2007.

Gjatë viteve 2007-2010, Kapllani ka punuar në kompaninë e naftës “Albpetrol”, ndërsa gjatë viteve 2010-2013 në uzinën mekanike të naftës në Kuçovë. Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë njëkohësisht anëtar bordi i kompanisë ARMO.

Në vitin 2013, Kapllani u emërua prefekt i Qarkut të Beratit si pjesë e marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa në vitin 2015 ai u lirua nga kjo detyrë për të kandiduar si kryetar i Bashkisë së Kuçovës. [Lexo CV-në e plotë]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve të bashkive të vendit në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga kryebashkiaku Kapllani nga viti 2013 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se kryetarit te bashkise se Kuçoves, Selfo Kapllani.

Kryetari i Bashkisë së Kuçovës deklaron pronësinë vetëm mbi një banesë të përfituar nga privatizimi në vitin 1993, me sipërfaqe 99.4 m2 dhe vlerë 9572 lekë. Sipas deklaratave të tij të depozituara në ILDKPKI, edhe në vitin 2017 pasuria e tij e vetme mbetet shtëpia.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 7.7 milionë lekë. Rreth 58% e të ardhurave kanë si burim pagën e Z.Kapllani, ndërsa rreth 42% pagën e bashkëshortes dhe të djalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik i deklaratave të pasurisë së subjektit rezultoi pa probleme për të pesë vitet.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Burimi: reporter.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re