Në orët e para të kësaj të premteje Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ndërmorën një operacion të gjerë për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave në shuma të mëdha.

Gjykata e Posaçme lëshoi 20 urdhër arreste nga të cilat vetëm disa u ekzekutuan. Sipas SPAK-ut grupi kriminal trafikonte kokainë nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Porto-Riko e Brazil etj drejt Europës dhe i pastronte paratë duke investuar, kryesisht në sektorin e ndërtimit ku dalin të përfshirë biznesmenët Ilir Shtufi dhe Artur Shehu.

Ilir Shtufi është një biznesmen me peshë në fushën e ndërtimit ndërtues i disa kullave në Tiranë. Ai njihet për lidhjet me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Edhe më herët kompanitë e tij kanë qenë duke u hetuar nga SPAK për tenderin e fituar në lotin e 4 të Unazës së madhe në Tiranë.

Ndërsa Artur Shehu është pronar i pjesës më të madhe të tokës në Zvërnec, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz që ka nxitur protesta të fuqishme në tiranë që po vijojnë prej 12 ditësh.

Kokat e grupit që trafikonte drogë dyshohet se ishin Artur alias Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai të cilët ndodhen jashtë vendit. Drogën ata e çonin kryesisht drejt Belgjikës dhe Holandës përmes kompanive të transportit detar në formën e qymyrit të drurit, pastave të frutave ose në pako të fshehura në kontejnerë.

Përpunimi dhe ekstraktimi kimik i kokainës kryhej në magazina apo ambiente të marra me qira në këto shtete dhe më pas tregtohej në gjithë Europën.

Në kuadër të këtyre hetimeve Spoak ka vendosur sekuestro preventive të disa kompanive, pronave të paluajtshme, automjeteve luksoze dhe llogarive bankare te te dyshuarve të cilat dyshohet se janë mbi 100 mln euro pasuri.

Luçiano Koçeku rezulton të jetë pronar 100% i shoqërisë ‘G.A.V Invest’ e themeluar në 2022 me veprimtari në fushën e projektimit, ndërtimit, prodhimit dhe shitblerjes së materialeve të ndërtimit.

Dhe në dy kompani të tjera me përqindje të ulët aksionesh. SPAK ka vendosur sekuestro edhe ndaj disa llogarive bankare të Artur Shehut dhe kompanive të Ilir Shtufit.

Mes emrave në sitë të spak është edhe biznesmeni Orgest Birçaj që merret me tregtim makinash luksoze.

Një tjetër emër ndaj të cilit ka urdhër-arresti është Orest Sota i arrestuar nga SPAK, në 2017 pasi ju kapën në makinë 863 mijë euro, por kjo çështje u pushua më pas. Ai ka shkuar para prokurorisë si person që ka dijjeni edhe për hetimet ndaj Akshit.

Urdhër arrestet e lëshuara nga GJKKO

Ardian Zykaj
Alfredo Hamzai
Adrian Rama
Erjon Rama
Orgest Bircaj
Orest Sota
Elton Memeti
Artur Shehu
Leonard Bishaj
Arben Ismaili
Edmond Jaupi
Besnik Myftari
Dritan Aga
Luciano Koceku alias Artur Koceku
Dino alias Abedin Koceku
Ervin Koceku
Astrit Vladi
Kastriot Vladi
Gezim Islami
Ilir Shtufi

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re