Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Pranë shtëpisë time tashme prej vitit 96(nëse nuk gaboj) ngrihet kjo gërmadhë të cilën në ato kohë e ndërtoi një prej firmave fatkeqe piramidale të asaj periudhe. Ishin kohë ato që ku në një ditë të vetme hapeshin 4 skelete firmash kredituese që shërbenin si banka të cilat mblidhnin lekë dhe shtonin akoma më tepër babëzinë e një populli të zbrazur shpirtërisht . Në atë periudhë isha në fillimet r adoleshencës por disa fenomene i mbaj mend mjaft mirë edhe pse për kohë të gjatë nuk i kuptova. Sa herë që kaloj para atij skeleti gjigant më kujtohet skeleti moral i një populli, si ai i yni, në një kohë ku edhe pse dukshëm të dobët fizikisht dëshirat dhe lakmia e këtij populli ishte shumë i madh. Edhe pse të
“rreckosur” shpirtërisht, tamaja ishte zmadhuar aq shumë saqë bënte kontrast të madh tek ato trupa akoma të skeletosur si pasojë e sistemit komunist. Dikur në atë vend ka ekzistuar një kinema e madhe që si fëmije depërtonim pa leje në korridoret e saj për të parë filmat e dikurshëm hollivudian sidomos ata me mitologjinë e trupmedhenjve si Herkuli etj…Ajo bankë su ndërtua kurrë, sot ajo ngelet një skelet I stërmadh prej betoni që ndoshta pak e dine origjinën e asaj gërmadhe prej betoni dhe mbi të gjitha burimet ekonomike qe u përdoren për të ndërtuar atë skelet te stërmadh prej betoni. Ai ndërtim që për kohën kur u ndërtua (diku nga viti 95 në mos gaboj) mundet të këtë kushtuar shume është ngritur me leket e popullit i cili i futi kursimet e veta në keto skema piramidale te cilat me pas lane shkatërrim dhe depresion masiv, ashtu sikurse edhe vet pamja e saj të lë të tilla ndjesi. Qëllimi I kësaj banke ishte të pastronte paratë e firmave piramidale por nuk arriti kurrë të vihej në punë pasi ndodhi shkatërrimi I vitit të mbrapshtë 97-të dhe lekët të cilat duhet të shërbenin për të përfunduar atë godinë u vodhën bashkë me jetën e mijra shqipatrëve. Dhe ja sot ajo qëndron si kështjellë antike e cila më kujton sesa jetë njerëzish morri ndërtimi I atyre skeleteve të cilat më ngjajnë me ëndrrat adoleshenciale të një kategori njerëzish pa brenga morale, ah sa lule janë vendosur në varreza, sa lotë janë derdhur për atë ëndërr pa atdhe dhe pa fe. Sot ai ndërtim vazhdon të ekzistojë pa u ndërtuar mbi të apo pa u prishur për tu ndërtuar diҫka më e mirë sikur me qënë argument I qartë I urtësisë hyjnore, “sikur” vet Zoti ka dashur të na kujtojë nëpërmjet atij objekti për babëzinë e madhe njerëzore të cilën vetëm dheu mundet ta
mbushë. Sot ajo më kujton të gjallët dhe të vdekurit (mbi të gjithë këta të fundit) që lanë pas pasojat e disa prej sëmundjeve më të rrezikshme për vet ekzistencën njerzore. Sëmundje si mëndjemadhësia, injoranca, kamata, prostitucioni dhe lakmia për fitimin e shpejtë dhe pa derdhur mund. Thotë një dijetar: Si është e mundur që njeriu të cënojë kufijtë e Zotit dhe njëkohësisht të dëshirojë që njerëzit të mos cënojnë kufijtë e tij. Si është e mundur që njeriu ta nënvlerësojë të drejtën e Zotit dhe Zoti kështu të most a nënvleftësojë të drejtën e tij te njerëzit. Si mundet ti marrë lehtë gabimet ndaj Zotit duke mos u merrë lehtë po ashtu edhe nga njerëzit.” Sëmundja dhe ilaҫi fq 92, Jehona, Tiranë 2012.

Por njeriu pasojat e gabimeve të veta I sheh shumë larg ndaj nuk I mendon ato në mënyrë që të evitojë vet gabimin. Edhe pse sipas metrit hyjnor gjithҫka është afër dhe jo larg, në Kuran thuhet: Ata e mendojnë atë (pasojë) të largët, kurse Ne e shohim të afërt” Mearixh 6-7.Ndërsa në psikologjinë e sjelljeve njerëzore thuhet se : Një objekt apo dukuri e frikshme që nuk vërehet drejtpërdrejt apo në mënyrë të menjëherëshme ose që pritet të ndodhë pas një kohe të gjatë nuk do të shkaktonte frikë, por shqetësim dhe trishtim. Për shembull, një djalë i ri që mendon për çështjen e padiskutueshme të afërt të plakjes dhe vdekjes mund të ndihet i dëshpëruar dhe i trishtuar, por jo i frikësuar dhe i shqetësuar. Në mënyrë të ngjashme, ai nuk do të trembet duke dëgjuar një gjë të frikshme që mund të jetë larg tij, ajo
duhet të perceptohet nga shqisat e tij (si diҫka e afërt) para se frika dhe tmerri ta kapin atë. E thënë me pak fjalë njeriu trembet më tepër nga vështirësia që përjeton sesa nga paralajmërimet parprake para kësaj vështirësie, kthjellohet vetëm kur ndodhet në „syrin“ e ciklonit dhe nuk frikësohet aspak nga paralajmërimet metereologjike. edhe pse çdo fatkeqësi i ka këmbanat e veta të alarmit të cilat bien nganjëherë për veshë të shurdhër.

Por ky skelet pikërisht më përkujton dënimin e popujve të mëparshëm dhe rënojave të tyre për shkak të fryrjes së tepërt të lakmisë dhe kalimit të ҫdo caku tek ta, ndërsa ngritja e skeleteve të tilla nuk vjen vetëm si pasojë e largimit nga ndërtimi I konstrukteve të brendëshme para atyre të jashtëm , për këtë dëmi I kamatës dhe prostitucionit janë prej shkatërrimit të së brendëshmes e cila kulmon me shkatërrimin e të jashtëmes. Për këtë thotë profeti i Islamit: Nuk ka popull në të cilin shfaqet në masë kamata dhe prostitucioni vetëm se e kanë tërhequr kah vetes dënimin e Zotit” Transmeton Ahmedi 3379

Ndërsa ne i pamë me sytë tanë se çfarë çmimi pati fajdeja dhe shitja e motrave dhe vajzave tona në„tregjet“ e mishit të bardhë në Itali e gjetkë, thuhet diku që ai i cili nuk nxjerr mësim nga e kaluara padyshim që do ta pësojë edhe në të ardhmen ndërsa ai i cili nuk shpreson (për më mirë) nga e ardhmja e vet do të sprovohet në të tashmen e tij.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re