Kategoria e Parë ku bën pjesë edhe Tomori me Naftëtarit ka hyrë në një pikë ‘’të nxehtë’’ të sezonit. Jemi vetëm një javë larg fundit të fazës së dytë dhe skuadrat presin verdiktet finale për objektivat që do të luftojnë deri në fund.

Prej dy vitesh struktura e Kategorisë së Parë ka marrë një ndryshim të rëndësishëm. Nëse vazhdojnë që Kategoria Superiore dhe ajo e Parë të kenë të njëjtin numër skuadrash: 10 dhe 20 ajo që ka ndryshuar është formati.

Në Kategorinë e Parë skuadrat janë të ndara në dy grupe A dhe B kryesisht një ndarje gjeografike Veri dhe Jug me nga 10 skuadra secila. Në fund të mbylljes së fazës së dytë secili prej këtyre grupeve ndahet në dy nëngrupe.

Në varësi të pikëve të grumbulluara deri në fundin e kësaj faze, si në grupin A edhe atë B do të kemi grupin e Promocionit dhe atë të mbijetesës. Skuadrat shkojnë në fazën e tretë me pikë të përgjysmuara dhe secili prej këtyre nëngrupeve ka nga 5 skuadra që do të luajën 8 javë të tjera kampionat.

Në fund të sezonit secili prej grupeve të promocionit nxjerr skuadrën e parë që ngjitet në Kategorinë Superiore, gjithsej dy. Ndërsa nga secili prej skuadrave të mbijetesës është nga një skuadër që shkon një kategori më poshtë. Ndërsa skuadrat e parafundit në të dy grupet duhet të zhvillojnë një ndeshje play-off me skuadrat e renditura të dytat në secilin prej grupeve të Kategorisë së Dytë.

Momentalisht Tomori renditet i gjashti dhe e ka në dorë sigurimin e pesëshes së parë për të mos rrezikuar mbijetesën. Ndërsa për Naftëtarin gjërat shkojnë edhe më keq pasi është e fundit në renditje dhe këtë fazë të tretë do e luaj në grupin e mbijetesës për të shmangur vendin e fundit deri në fund të sezonit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re