Prioriteti i Ministrisë së Bujqësisë këtë vit do të jetë mbështetja me fonde për ata fermerë që kanë më pak se 1 hektar tokë dhe që janë bërë bashkë me anë të një marrëveshjeje interesi të panoterizuar.

Ky grup, shpjegoi ministrja Anila Denaj para fermerëve në tregun e ri agroushqimor në Farkë, do të financohet i pari në masën 100% dhe pjesa tjetër e mbështetjes do të rishpërndahet për përfituesit e tjerë.

“Për ju do të ishte më shumë lekë. Sepse çdo masë që u tha pak më parë do të merret maksimalisht. Të parët që do të përfitojnë nga Skema, masën e plotë qoftë në skemën e blegtorisë gjithashtu edhe të perimeve luleshtrydheve apo produkteve të tjera, janë ata që janë të bashkuar. Ata do të marrin maksimumin e skemës. Nëse ne kemi 100 apo 1000 operatorë të bashkuar, janë ata që marrin maksimumin dhe pjesa e mbetur e lekëve do të shpërndahet proporcionalisht tek të tjerët. Pra, të gjithë do të marrin, por disa do marrin më shumë dhe disa më pak. Kjo edhe një herë për të siguruar cilësinë e produktit dhe protokollin e ndjekur”, tha Anila Denaj.

Ftesë për fermerët që të bashkohen dhe të aplikojnë për t’u mbështetur financiarisht bëri edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Ftesa për të gjithë miqtë tanë fermerë dhe familjet është: duhet të sigurohemi që t’i shpenzojmë këto para, ndaj na duhet një mobilizim jo vetëm nga fermerët, por shoh disa nga administratorët tanë këtu, që mund të na ndihmojnë dhe të punojmë për këtë mision. Pra, jo vetëm ai që realisht punon me tokën, me bletët, me baxhon, me stallën, por të gjithë duhet të shkojmë në katund për t’u siguruar që këto para shkojnë në vendin e duhur”, u shpreh Erion Veliaj.

Fermerët do të kenë mundësinë të aplikojnë për të përfituar nga fondi prej 3.3 mld lekësh duke nisur nga data 27 mars.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re