Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, lidhur me tensionet në Kosovë, tha se BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it dhe se barrikadat në veri të Kosovës duhet të hiqen.

“BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it apo përdorimin e veprimeve të dhunshme kriminale në veri. Grupet serbe të Kosovës duhet të heqin menjëherë barrikadat. Paqja duhet të kthehet”, tha Borrell.

Instituti për Gjeopolitikë, Ekonomi dhe Siguri (IGES) njoftoi se ka paralajmëruar vazhdimisht se problemi kryesor i destabilitetit në Ballkan është tolerimi i politikës antievropiane të regjimit të Beogradit.

“Duke destabilizuar Kosovën, Serbia mban tension në të gjithë rajonin në mënyrë që të përpiqet të marrë kompensim për humbjen e Kosovës në kurriz të Bosnjës. Serbia në një moment të caktuar do të kërkojë kompensime në Bosnje, të cilat, nëse asgjë tjetër, do ta forcojnë edhe më shumë pozitën Republika Srpska. Të gjithë politikanët pro-boshnjakë duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë”, thonë nga IGES dhe shtojnë:

“Vlerësimet në qarqe të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare se nënshtrimi ndaj regjimit të Beogradit do ta afrojë Serbinë drejt integrimeve euroatlantike janë krejtësisht të gabuara.

Nëse Evropa nuk tregon vendosmëri dhe nuk identifikon qartë fajtorin e vërtetë për destabilizimin e Ballkanit, atëherë ajo vetë kontribuon në kolapsin e sigurisë së përgjithshme evropiane”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re