Nëpërmjet Skemave Kombëtare të mbështetjes që mundësohen nga qeveria shqiptare pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore janë transformuar duke lehtësuar ndjeshëm punën e fermerëve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi një ndër këto pika në Rërëz, Berat.

Nga 700 fermerë që sillnin produktet në këtë pikë grumbullimi, sot falë këtyre investimeve numri ka arritur në 3 mijë.

“Vizita në “Hatija Shpk” , ishte një rast shumë i mirë për të parë nga afër transformimin e ndodhur në këtë pikë grumbullimi që ndodhet në Rërëz, Berat. Nëpërmjet Skemave Kombëtare të mbështetjes që mundësohen nga qeveria shqiptare, Hatija ka kryer një investim modern që do të lehtësojë punën e rreth 3000 fermerëve të zonës. Këto të fundit do i grumbullojnë produktet e tyre në kushte optimale dhe sipas standardeve të kohës”, tha ministrja.

Remsi Hatija është përfitues i dy skemave kombëtare për bujqësinë. Në vitin 2016 ai përfitoi mbështetje për shtimin e sipërfaqes së pikës së grumbullimit dhe në vitin 2018 përfitoi mbështetje financiare për shtimin e dhomave frigoriferike.

“Jemi në një ditë të rëndësishme për fermerin shqiptar ku ka filluar edhe skema e mbështetjes për naftën falas, prandaj për të gjithë fermerët që punojnë në këtë zonë pjellore të Shqipërisë është një thirrje e hapur për të marrë pjesë në skemat mbështetëse”, tha Ekonomi.

Skema kombëtare e mbështetjes me naftë do t’u japë atyre lehtësira të vazhdojnë të rrisin produktin bujqësor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re