Skip to content

“Skemën kriminale “KAYO” e propozoi Rama”/ Tedi Blushi për kontrollet e SPAK: Hetimi që ndalet te Ron Yeffet dhe nuk shkon te kryeministri është fasadë

collage

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas kontrolleve të ushtruara nga SPAK në vilën e biznesmenit shqiptaro-izraelit Ron Yeffet, në periferi të Tiranës. Blushi ka përshëndetur nisjen e kontrolleve, por ka deklaruar se hetimi nuk mund të konsiderohet i plotë nëse nuk shtrihet edhe te kryeministri Edi Rama. Sipas tij, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është “i vetmi që meriton të përshëndetet sot” për nisjen e kontrolleve, edhe pse, sipas Blushit, ato janë shumë të vonuara.

“Por kontroll te Roni dhe jo te Edi Rama do të thotë një hetim gjysmak. Dhe një hetim gjysmak, për një aferë mafioze të përmasave të KAYO-s, është thjesht hiç-hetim”, shprehet Blushi.

Duke iu referuar skemës KAYO, Blushi akuzon kryeministrin Rama se “ka pasur rol qendror në krijimin dhe zbatimin e saj”.

“Skemën kriminale KAYO e propozoi Edi Rama. E miratoi në Kuvend Edi Rama. E vuri në jetë Edi Rama. Dhe në qendër të kësaj afere mafioze, përmes së cilës janë vjedhur dhe po vidhen qindra milionë euro, qëndron Edi Rama”, deklaron ai.

Reagimi i Blushit

Arben Ahmetaj është i vetmi që meriton të përshëndetet sot për nisjen, edhe pse shumë të vonuar, të kontrolleve në shtëpinë e Ron Yeffet.
Por kontroll te Roni dhe jo te Edi Rama do të thotë një hetim gjysmak. Dhe një hetim gjysmak, për një aferë mafioze të përmasave të KAYO-s, është thjesht hiç-hetim.
Skemën kriminale KAYO e propozoi Edi Rama. E miratoi në Kuvend Edi Rama. E vuri në jetë Edi Rama. Dhe në qendër të kësaj afere mafioze, përmes së cilës janë vjedhur dhe po vidhen qindra milion euro, qëndron Edi Rama.
Prandaj, hetimi që ndalet te Ron Yeffet dhe nuk shkon te Edi Rama është fasadë.
Hetimi që nuk ndalon menjëherë gjakderdhjen financiare të skemës mafioze KAYO është fasadë.
Dhe hetimi që kontrollon dhe arreston këdo, përveç Edi Ramës, nuk është hetim.
Është mbulim. Është “hetim” për t’i shpëtuar kokën, Edi Ramës.
Sa kohë nuk hetohet dhe arrestohet Edi Rama, çdo hetim tjetër për KAYO-n mbetet vetëm një përpjekje për të transferuar fajin te ushtarët, në mënyrë që Kryetari i Organizatës të vazhdojë i qetë të vjedhë i paprekur nga hetimi i “Drejtësisë me Regji” që sekuestron gjithçka por jo paratë e vjedhura.