“Nuk kemi pasur konflikt me familjen e viktimës”, ka dëshmuar Eduart Lami, 37-vjeçari i cili u vendos në pranga pasi gjatë hetimeve për vrasjen e postierit Lulzim Visha, iu gjet në banesën që përdorte me kushëririn e tij Ervis Lami, automatik me silenciator.
“Në dijeninë time nuk kemi pasur asnjë debat apo përplasje. Nuk e di për pjesëtarë të tjerë të familjes nëse kanë pasur konflikte me dy vëllezërit Visha. Por unë personalisht dhe nga ajo çfarë di unë nuk kemi pasur konflikte”, shtoi i riu në deklaratën e tij.
Ndërkohë mësohet se gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes përkojnë me armën që u gjet tek makina.
Gjithashtu e njëjta model arme u gjet gjatë kontrollit në banesën e Ervis Lamit. Policia do të marrë ADN e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes dhe në banesën e 31-vjeçarit për të bërë më pas krahasimin.
Gjithashtu policia po vijon me analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe me marrjen në pyetje të familjarëve të Lulzim Vishës.
Eduart dhe Ervis Lami akuzohen për armëmbajtje pa leje, ndërsa pritet rezultati i ekspertizës së armës për të zbuluar nëse janë të përfshirë në vrasjen e 48-vjeçarit.
LEXONI EDHE: Vrasja e postierit/ Kush është Ervis Lami, 31-vjeçari që iu gjet automatiku me silenciator në banesë! I riu organizoi arratisjen e Admir Tafilit dhe 6 të dënuarve nga burgu i Drenovës
EKZEKUTIMI I LULZIM VISHËS
Lulzim Visha u gjet pa shenja jete mëngjesin e 24 Janarit, brenda automjetit të punës së tij, në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner.
“Më datë 24.01.2025, rreth orës 07:40, në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, është konstatuar pa shenja jete, brenda një automjeti, shtetasi L. V., 48 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar i vrarë me armë zjarri”, njoftoi policia.
Në drejtim të viktimës mësohet se është qëlluar të paktën 12 herë me armë me silenciator, pasi banorët e zonës nuk kanë dëgjuar të shtëna.
48-vjeçari, i cili punonte si postier u ekzekutua rreth 200 metra larg banesës së tij, ndërsa atentatorët i bënë pritë teksa po nisej për punë.
Ndërkohë vetëm disa orë pas krimit u gjet i djegur automjeti tip Porsche i përdorur nga autorët.
Brenda makinës u gjet edhe një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autorët.
Ndërsa nga verifikimet rezultoi se targat e automjetit ishin vjedhur që në muajin Prill 2023 në Kamëz.
“Në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar i djegur një automjet tip “Porsche” i dyshuar i përdorur nga autori/ët e ngjarjes.
Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët.
Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz”, njoftoi policia.
HETIMET PER VRASJEN
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 31 vjeçarin Ervis Lami, ndërsa është vendosur në pranga djalit i xhaxhait të tij, Eduart Lami, pasi në banesën që përdornin dy kushërinjtë u gjet automatik me silenciator.
Blutë kanë kryer kontrolle në banesën në rrugën Paqësore, Zall Mner, gjatë hetimeve për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, Lulzim Visha mëngjesin e 24 Janarit, në rrugën “Shën Stefani”.
Mësohet se gjatë kontrolleve u gjetën një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë janë gjetur 4 gëzhoja armë.
“Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale”, informojnë blutë.
Raportohet se banesa ku u gjetën sendet e kundraligjshme është në posedim të Ervis Lamit dhe përdorej nga 31-vjeçari, si edhe kushëriri i tij, Eduart Lami.
Në pranga u vendos 37-vjeçari, banues në Kamëz, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Ndërsa u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e Ervis Lamit.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle intensive dhe punë profesionale hetimore për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, mëngjesin e djeshëm në Kamëz.
Në kuadër të kontrolleve bazuar në inteligjencën policore, Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Silenciatori”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. L, në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë .
Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç.
Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi E.L 37 dhe E.L 31 vjec.
Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.
