Partia Demokratike ka reaguar përmes sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhit në lidhje me vendimin për ndryshimin e masës për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun.

Bardhi ka publikuar një tabelë me të dhënat që sipas tij Kajmaku ka përfituar tendera edhe pse ndodhej në arrati prej 8 muajsh, ndërsa shton se në 24 orët e fundit u realizua një skenar mafioz.

“Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg”, shkruan ndër të tjera Bardhi ndërsa denoncon se Kajmaku ka përfituar nga qeveria 200 milionë lekë në kohën kur ndodhej në arrati.

Reagimi i plotë: Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës. Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg.

Agim Kajmaku, një fallsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumenta se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit.

Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti i Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë!

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re