Kanë dalë pamjet çfarë ndodhi brenda bankës së grabitur në Koplik, ngjarja e ndodhur më 9 maj të këtij viti.

“Fax News” sjell pamjet në momentin kur grabitësit e maskuar dhe me kallashnikov në dorë rrëzojnë në tokë punonjësin e bankës dhe më pas drejtohen tek arka.

Policia e shkodrës ditën e sotme ka njoftuar se ka realizuar operacionin “Syri i Sheganit” dhe ka vënë në pranga 3 të rinj të dyshuar si autorë të grabitjes së bankës. Ata janë Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj të Malësisë së Madhe.

“Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pamjet e publikuara nga “Fax News” tregojnë grabitësit e maskuar dhe të armatosur rëndë, në momentin që hyjnë në bankë:

– Ngjarja –

Grabitësit e armatosur deri në “dhëmbë” dhe të maskuar kanë hyrë në një bankë të nivelit të dytë në Koplik dhe kanë marrë paratë e arkës. Burimet bëjnë me dije se grabitësit kanë marrë 10 mijë euro, 1 mijë dollar dhe rreth 4 milionë lekë të vjetra.

Pasi grabitësit morën paratë nga banka ata janë larguar me një automjet tip “Wolsvagen” të cilën e kanë djegur në dalje të qytetit dhe më pas nën kërcënimin e armës ndaj shoferit të një prej automjeteve që po kalonte në rrugë, kanë arritur të marrin një makinë tip “Benz” dhe të largohen nga vendngjarja.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re