Gazetari dhe analisti Mero Baze komentoi sot në “Tema e Ditës” në ABC News takimin mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel, ku edhe është miratuar deklarata për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë. Sipas analistit, nëse procesi dështon mund të ketë ndëshkime për njërën palë ose tjetrën.

“Nëse Serbia i njeh pasaportat e Kosovës, edhe Spanja do të njohë ato dhe kompletohet mundësia e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës. Në Tetor, nëse të gjitha gjërat shkojnë sipas një skenari pozitiv do të kemi një kompletim të të gjithë agjendës së marrëveshjes së Ohrit. “, u shpreh ai.

Cili është skenari negativ?

“Nëse i gjithë ky proces dështon për fajin e palës shqiptare, atëherë Kosova do të izolohet ndërkombëtarisht, do të humbasë mbështetjen e Berlinit, çka është fundi për shtetin e Kosovës. Nëse dështon për faj të Serbisë, do të futet në sanksione ndërkombëtare, do t’i ngrijë procesi i futjes në BE dhe nga ana tjetër, do të ndëshkohet duke i dhënë Kosovës një mbështetje pa kufi perëndimore duke e njohur pesë shtetet e BE që s’e kanë njohur dhe duke e anëtarësuar në OKB.“, tha ai.

Sipas gazetarit, gjithçka varet në vullnetin e Kurtit dhe Vuçiç pasi kanë pushtet të mjaftueshëm për të marrë vendime.

“Edhe Vuçiç edhe Kurti janë të prirur që të mos mbajnë barrë në dështimin e këtij procesi. Pra asnjëri nuk do që t’i ngecë në dorë dështimi dhe e paraqesin këtë si një lloj heroizmi dhe sakrifice. Në fakt se kanë edhe aq të vështirë, të dy kanë pushtet të mjaftueshëm për të marrë vendime. Ata janë komod për të marrë vendime. Kurti nuk ka qasje agresive në Kosovë por edhe Vuçiç që bën si “viktimë” nuk ka, kështu që është thjesht në vullnetin e tyre.“, tha Baze.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re