Nëse Rusia e pushton Ukrainën, tregjet globale të aksioneve mund të kenë rënie. Kjo mund të pësohet shumë më keq se gjatë të gjitha ngjarjeve të tjera gjeopolitike të disa dekadave të fundit.
Një pushtim rus i Ukrainës mund të ndërpresë më tej furnizimet e naftës së papërpunuar, çmimet potencialisht mund të shkojnë tashmë në nivelet më të larta në shtatë vjet e fundit dhe pritet t’i afrohen 100 dollarëve për fuçi. “Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka të ngjarë të rrit çmimin e naftës së papërpunuar mbi 100 dollarë për fuçi më shpejt se sa ishte parashikuar më parë”, tha Naeem Aslam, analisti kryesor i tregut në AvaTrade, raporton CNN.

“Rritja e mundshme e çmimeve të naftës varet nga lloji i sanksioneve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj ka të ngjarë të vendosin ndaj Rusisë nëse ajo e pushton realisht fqinjin e saj”, shtoi ai.

Një rritje e çmimeve të energjisë mund të dëmtojë konsumatorët dhe gjithashtu të nxisë Rezervën Federale amerikane dhe bankat e tjera qendrore të lëvizin më shpejt për të rritur normat e interesit në përpjekje për të ulur inflacionin. Ky ndoshta do të ishte një lajm i keq edhe për tregjet e aksioneve.
Analistët e Capital Economics shkruan në një raport se “një pushtim rus i Ukrainës ose ashpërim të sanksioneve mund të rrit deri në 2 për qind normën e inflacionit në tregjet e zhvilluara…veçanërisht në Evropë”.

“Duke pasur parasysh sfondin inflacionist dhe agresivitetit të bankave qendrore, politika monetare mund të shtrëngohet në mënyrë më agresive”, shtuan analistët e Capital Economics. Kjo është një nga arsyet kryesore që tregjet e aksioneve ndoshta nuk do t’i shmangeshin ndikimit, në rast të ndonjë konflikti eventual në Ukrainë – edhe pse tregjet shpesh kanë lënë pas shumë shpejt konfliktet dhe sulme terroriste gjatë shekullit të kaluar dhe e kanë marrë veten. Shefi i komapanisë strategjike të investimeve CFRA Research, Sam Stovall, analizoi reagimin e tregut ndaj 24 ngjarjeve ushtarake dhe terroriste që nga Lufta e Dytë Botërore.

Stovall zbuloi se S&P 500 zakonisht ra vetëm rreth 1 për qind në lajmet fillestare të një ngjarjeje ushtarake ose sulmi terrorist dhe vetëm 5.5 për qind gjatë kohëzgjatjes së një ngjarje të caktuar. Dhe u deshën mesatarisht vetëm 52 ditë që stoqet të rikuperonin humbjet e tyre. “Tregjet e aksioneve janë më të rrezikuara nga pasojat e luftës kundër inflacionit se sa nga një pushtim i mundshëm i Ukrainës”, shkroi Stovall.

“Historia u kujton investitorëve se aktivitetet e befasishme ushtarake dhe terroriste kanë qenë tradicionalisht jetëshkurtra dhe kanë përfaqësuar një mundësi tërheqëse blerjeje”, shtoi ai. Shumë prej këtyre ngjarjeve nuk patën një përhapje më të gjerë ekonomike, si vrasja e presidentit amerikan, John Kennedy, masakra e atletëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Munichut në vitin 1972, bombardimi i Madridit i vitit 2004, sulmi terrorist në Londër në vitin 2005 dhe bomba në Maratonën e Bostonit në vitin 2013.

Por një tjetër konflikt i madh ushtarak në listën e Stovall ndikoi në tregun e naftës: lufta e vitit 1990 pas pushtimit të Kuvajtit nga Iraku i Sadam Huseinit. Dhe kjo çoi në një tronditje shumë më të madhe të tregut. S&P 500 ra gati 17 për qind gjatë fillimit të Luftës së Gjirit Persik dhe iu desh më shumë se gjysmë viti (189 ditë) që tregu të rikuperonte humbjet e tij. Duket e mundshme që një konflikt i zgjatur në Ukrainë do të ishte më problematik për tregjet dhe ekonominë globale – shumë më tepër si pushtimi i Kuvajtit se sa ngjarjet e njëpasnjëshme terroriste.

Të tjerë shqetësohen për faktin se Rusia nuk është vetëm një lojtar i rëndësishëm në tregun e energjisë. “Duke pasur parasysh se Rusia është një furnizues kryesor i naftës dhe drithërave dhe është një prodhues kryesor i paladiumit, i përdorur si konvertues katalitikë, frika nga rritja e çmimeve është shumë reale”, tha Fiona Cincotta, analiste e lartë e tregjeve financiare në City Index. Gjëja e fundit që konsumatorët (ose investitorët) kanë nevojë është më shumë presion mbi inflacionin për të rritur edhe më shumë kostot e mallrave dhe jetës.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re